Kryeministri Edi Rama në Kuvendin Kombëtar Rinor për Shqipërinë 2030, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit. Ai apeloi që shqiptarët të mos votojnë Partinë Demokratike dhe partitë e vogla, por të përkrahin Partinë Socialiste (PS) për të garantuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.
Rama theksoi se vota për PS-në është vota për një Shqipëri të zhvilluar, që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe që ka bërë përparime të mëdha gjatë dekadës së fundit. Sipas tij, Shqipëria ka rritur më shumë se dy herë e gjysmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar dhe është një vend që po njihet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare.
“Një vend që negocion anëtarësimin në BE, një vend që flitet mirë për të kudo dhe ku të gjithë duan ta vizitojnë. Në një dekadë rriti më shumë se 2 herë e gjysmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar.
Të gjithë duhet ta dinë, siç e dinë fatmirësisht shumica e shqiptarëve, se kjo nuk është koha për të lozur me fatin e Shqipërisë duke e djegur votën në oxhakun gjithë blozë të një partie të vjetër që të vetmen gjë demokratike ka llagapin e saj apo në mangallët e ca partiçkave të reja që të vetmen gjë të re kanë moshën e pronarëve të tyre.
Kjo është koha kur shqiptarët duhet ta përdorin votën për Shqipërinë 2030, për Shqipërinë Europë të Ballkanit dhe pjesë të pandashme të Europës së Bashkuar”, u shpreh Rama.