Të gjashtë personat që ndodheshin në bordin e një avioni mjekësor humbën jetën pasi ai u rrëzua në një lagje të Filadelfias mbrëmjen e së premtes.
Sipas autoriteteve, mes viktimave ishin një nënë dhe vajza e saj, e cila po transportohej drejt Tijuana-s, Meksikë, pas trajtimit për një sëmundje të rrezikshme për jetën në Shtetet e Bashkuara.
Në avion ndodheshin gjithashtu katër anëtarë të ekuipazhit.
Kryebashkiakja Parker deklaroi se përveç viktimave, “shumë persona në tokë” kanë mbetur të plagosur, ndërsa disa banesa u përfshinë nga zjarri pas përplasjes së avionit, përcjell BBC.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë makina të djegura dhe mbeturina të shpërndara në rrugë.
Sipas të dhënave të fluturimit, avioni ishte në ajër vetëm për një minutë përpara se të rrëzohej.
Ende nuk është përcaktuar shkaku i aksidentit, ndërsa në një regjistrim audio të siguruar nga CBS News, një kontrollor ajror dëgjohet duke thënë: “Nuk jemi saktësisht të sigurt se çfarë ndodhi.”
Hetimet për shkaqet e rrëzimit janë në vazhdim.