Trump urdhëron sulme ajrore ndaj Shtetit Islamik në Somali


Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ka urdhëruar sulme ajrore kundër një planifikuesi të lartë të sulmeve dhe disa pjesëtarëve të grupit terrorist Shteti Islamik (IS) në Somali. 

“Këta vrasës, të cilët i gjetëm të fshehur në shpella, kërcënonin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë,” shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale. 

Ai tha se sulmet shkatërruan shpellat ku fshiheshin militantët dhe “vranë shumë terroristë” pa dëmtuar civilët, sipas BBC.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha në një deklaratë se “vlerësimi fillestar tregon se disa operativë u vranë dhe asnjë civil nuk u lëndua”.

Ai shtoi se sulmet “dobësojnë më tej” aftësinë e IS për të planifikuar dhe kryer sulme terroriste. 

Sulmet u zhvilluan në malet Golis, në veriun e Somalisë. Trump gjithashtu kritikoi administratën e mëparshme, duke pretenduar se ushtria amerikane kishte ndjekur këtë planifikues të IS prej vitesh, por Joe Biden dhe ekipi i tij nuk kishin vepruar “mjaft shpejt”. 

Në vitin 2023, gjatë administratës Biden, forcat amerikane vranë liderin e IS-it në Somali, Bilal al-Sudani, dhe 10 operativë të tij në një operacion të ngjashëm në zona malore. 

Shteti Islamik, i cili fitoi famë ndërkombëtare në vitet 2010 në Siri dhe Irak, tani është më aktiv në disa pjesë të Afrikës. Degën e tij në Somali e themeloi një grup dezertorësh nga al-Shabab në vitin 2015.