David Lebryk, zyrtari më i lartë i karrierës në Departamentin e Thesarit të SHBA-së, pritet të largohet nga posti pas një përplasjeje me aleatët e miliarderit dhe këshilltarit të Donald Trump, Elon Musk, mbi aksesin në një sistem të ndjeshëm pagesash, raportoi të premten “Washington Post”.
Sipas raportit, i cili citon tre burime të njohura me çështjen, Lebryk dhe përfaqësues të Musk u konfliktuan për aksesin në një sistem që administron mbi 6 trilionë dollarë pagesa vjetore, përfshirë përfitimet e Sigurimeve Shoqërore dhe Medicare, pagat federale, pagesat e kontratave qeveritare dhe rimbursimet e taksave.
Ende mbetet e paqartë se përse ekipi i lidhur me Musk të cilin presidenti Trump e ka ngarkuar me reformimin e qeverisë kërkoi akses në këtë sistem.
As përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit dhe as vetë Lebryk nuk kanë dhënë komente mbi raportin. Nuk dihet ende data e largimit të tij, por sipas *Washington Post*, kjo do të ndodhë së shpejti.
Ndërkohë, të hënën, Senati i SHBA-së konfirmoi Scott Bessent si Sekretar të Thesarit në administratën Trump.