Asistentët e Musk hyjnë në sistemin “sekret” të pagesave të Departamentit të Thesarit


Majtas David Lebryk, djathtas Elon Musk

Asistentët e Elon Musk kanë mundur të futen në një sistem të ndjeshëm të Departamentit të Thesarit, përgjegjës për triliona dollarë në pagesat e qeverisë amerikane pasi administrata shkarkoi një zyrtar të lartë në departament, sipas tre personave që folën në kushte anonimiteti.

Të premten, Sekretari i Thesarit Scott Bessent miratoi futjen në sistemin e pagesave të Thesarit për një ekip të udhëhequr nga Tom Krause, një ekzekutiv i Silicon Valley që punon në bashkëpunim me “Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë” të Musk, thanë njerëzit.

David Lebryk, i cili shërbeu në role jopolitike në Thesar për disa dekada dhe kishte qenë ushtrues detyre i Sekretarit përpara konfirmimit të Bessent, kishte kundërshtuar t’u jepte leje për të jyrë në sistem të dërguarve të Musk, thanë për Washington Post njerëz të njohur me atë që ka ndodhur. Zyrtarët e Trump e vendosën Lebryk në leje administrative dhe më pas ai njoftoi daljen në pension të premten në një email për kolegët.

Zëdhënësit për Thesarin dhe DOGE nuk pranuan të komentojnë.

Sistemet e ndjeshme, të drejtuara nga Byroja e Shërbimit Fiskal, kontrollojnë rrjedhjen e më shumë se 6 trilionë dollarëve në vit. Dhjetëra miliona njerëz në të gjithë vendin mbështeten te sistemet. Ata janë përgjegjës për pagimin e përfitimeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Medicare, pagat për personelin federal, pagesat për kontraktorët qeveritarë dhe marrësit e granteve dhe rimbursimet e taksave, midis dhjetëra mijëra funksioneve të tjera.

Në mënyrë tipike, vetëm një grup i vogël punonjësish të karrierës kontrollojnë sistemet e pagesave dhe ish-zyrtarët kanë thënë se është jashtëzakonisht e pazakontë që këdo që lidhet me të emëruarit politikë të ketë qasje në to.

Musk ka kërkuar të ushtrojë kontroll gjithëpërfshirës mbi punën e brendshme të qeverisë amerikane, duke emëruar zëvendësues për një kohë të pacaktuar në disa agjenci, duke përfshirë Zyrën e Menaxhimit të Personelit, e cila në thelb merret me burimet njerëzore federale dhe Administratën e Shërbimeve të Përgjithshme, e cila menaxhon pasuritë e paluajtshme.

DOGE tani është vendosur në një zyrë të Shtëpisë së Bardhë e njohur më parë si Shërbimi Dixhital i SHBA-së, por tani i quajtur Shërbimi DOGE i SHBA-së dhe ka shikueshmëri të gjerë në teknologji në të gjithë qeverinë.

Neë York Times ishte e para që raportoi se deputetët e Musk kishin fituar kontrollin e sistemeve.

Demokratët kanë kritikuar ashpër idenë për t’u dhënë zëvendësuesve Musk akses në sistemet e pagesave.

“Të themi troç, këto sisteme pagesash thjesht nuk mund të dështojnë dhe çdo ndërhyrje e motivuar politikisht në to rrezikon dëme të rënda për vendin dhe ekonominë tone.” – tha Senatori demokrat Ron Wyden në një letër drejtuar Bessent të premten.