Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Leka Bungo, gjatë mbledhjes së Komisionit të Medias, tha se edhe pse mban pozitat kryesore në institucion, nuk ka autoritet të veprojë ashtu siç do të dëshironte.
Ai theksoi se ka kërkuar të drejta për të marrë informacion nga administratën e RTSH, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje të saktë dhe transparente.
Bungo ndau një raport të KLSH, ku thuhet se Enkel Joti, ish-drejtori i RTSH, është detyruar të kthejë 375 milionë lekë në arkën e RTSH, një veprim që ka rezultuar si pasojë e shkeljeve të konstatuara nga institucioni.
“Unë kam kërkuar nga këshilli drejtues dhe ata e kanë miratuar kërkesën time që të delegojmë të drejtën për të marr informacion nga administrata kryetarit të këshillit drejtues dhe unë këtë punë jam munduar që ta bëjë rregullisht, por asnjëherë s’kam marr një përgjigje të saktë dhe transparente me të 3 drejtorët.
Mua më është thënë që t’i i dashur kryetar nuk mund të kërkosh informacion nga departamentet e tjera, ndërkohë që është e specifikuar që kryetari të marr informacion nga të gjitha departamentet, e kam me shkrim.
Më është thënë nëse doni informacion do t’i drejtoheni drejtorit të përgjithshëm.
Dhe unë i jam drejtuar Enkel Jotit në shtyp, në mbledhje dhe në këtë sallë, ku kam thënë po nëse unë do të kem mendimin që t’ju pyes zoti drejtor a keni vjedhur ndonjë lekë këtë muaj, ju do të më përgjigjeni mua?
Kjo është mënyra e komunikimit tuaj me këshillin drejtues? Ka precedentë dhe më i freskët është ai para 10 ditësh, ku drejtori Enkel Joti është i detyruar të kthejë me emër dhe me mbiemër 375 mln lekë në arkën e RTSH dhe ky është përfundimi i KLSH, s’është i imi.
Unë edhe pse jam kryetar vetëm çelësat e kashtës kam”, tha ai.