Këlliçi: SPAK faktoi që inceneratori i Tiranës zhduku 100 milionë euro, pagesa kesh u bënë në kulmin e hetimeve dhe në fushatë


Drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi, ngriti akuza mbi zhdukjen e 100 milionë eurove.

Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka faktuar se janë paguar 120 milionë euro deri në vitin 2022, ndërsa investimi real është vetëm 23 milionë euro.

Këlliçi thotë se ka dorëzuar prova në SPAK mbi transaksione të dyshimta dhe pasuri të lidhura me këtë aferë.

Ai përmend edhe pagesa të mëdha kesh në kulmin e hetimeve dhe fushatës elektorale të vitit 2023. Sipas tij, shuma prej 500 mijë eurosh është tërhequr nga një exchange dhe është dorëzuar për llogari të Mirel Mërtirit.

Këto para, sipas Këlliçit, janë përdorur për të paguar mediat, ndërsa qytetarët mbajnë barrën financiare të skemës korruptive.

“Janë arritur deri tani të faktohet nga Prokuroria e Posaçme, që janë paguar deri në 2022, 120 mln euro për landfillin e Sharrës me letrat e kompanisë. Vlera e investimit shkon në 23 milionë euro. Pra SPAK thotë se kemi faktuar se janë zhdukur 100 milionë euro.

E thotë vendimi. Dhe nuk ka asnjë të dhënë se ku kanë shkuar këto 100 milionë euro. Unë kam çuar në SPAK dokumenta, kontrata kleringu, kam çuar adresat e apartamenteve që i janë dhënë inceneratorit, që as përmenden dhe as merren parasysh. Unë kam gjetur nga këto 100 milionë, të paktën 2.4 milionë.

Në këtë vendim thuhet se nga data 21 mars 2023, në kulmin e hetimeve dhe në fushatë elektorale të zgjedhjeve lokale, deri në 21 qershor 2023, shtetasi Elton Bualli, administrator në landfill, ka marrë kesh, në një exchange pranë Ambasadës Amerikane, 500 mijë euro dhe i ka dorëzuar për llogari të Mirel Mërtirit, pra shkonin për të paguar mediat e vendit.

Këto vinin nga biznesi i dherave, që vijon të operojë edhe sot që ne flasim. A paguhen lekët për depozitimin e dherave apo jo? A shkojnë miliona euro kesh me çantë te landfilli i Sharrës? Të gjithë koston e hanë qytetarët”, tha Këlliçi në MCN TV.