Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bënë apel për kujdes të shtuar në administrimin dhe përpunimin e të dhënave personale gjatë periudhës zgjedhore.
Ata theksuan rëndësinë e respektimit të mbrojtjes së të dhënave personale dhe kërkuan që partitë politike të mbledhin dhe përpunojnë vetëm informacionin e nevojshëm për regjistrimin e zgjedhësve.
Ata gjithashtu apeluan për masat e sigurisë për mbrojtjen e të dhënave dhe paralajmëruan kundër përdorimit të tyre për qëllime të tjera, si propaganda politike.
Në rast shkeljesh, qytetarët mund të ankohen pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Deklarata:
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, zoti Besnik Dervishi, dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, zoti Ilirjan Celibashi, në kuadër të fushatës zgjedhore informojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë se të dyja institucionet mbeten të angazhuara në monitorimin rigoroz të periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore.
Ata kërkojnë që të respektohet në çdo hap mbrojtja e të dhënave personale dhe rendisin 5 kërkesat.
1.Çdo përpunim i të dhënave personale duhet të bazohet në kritere të qarta ligjore dhe të kuptueshme për shtetasit. Shtetasit duhet të informohen në mënyrë të qartë se si dhe për çfarë qëllimi do të përpunohen të dhënat e tyre.
2. Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të mbledhin dhe të përpunojnë vetëm ato të dhëna që janë absolutisht të nevojshme për qëllimet e regjistrimit të zgjedhësve.
3. Të dhënat e mbledhura duhet të mbrohen me masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të parandaluar qasjen e paautorizuar, shkatërrimin ose keqpërdorimin e tyre.
4. Të dhënat e mbledhura për qëllime regjistrimi nuk duhet të përdoren për qëllime të tjera, si propaganda politike, pa marrjen e pëlqimit të informuar të shtetasit.
5. Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të jenë të përgjegjshme për çdo shkelje të parimeve të mbrojtjes së të dhënave dhe të jenë të hapura ndaj mbikëqyrjes nga autoritetet kompetente.Zbatimi i parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale ndihmon në përforcimin e integritetit të zgjedhjeve dhe ruajtjes së besimit tek proceset demokratike.
“Duke marrë parasysh rreziqet e mundshme që mund të sjellë përpunimi i paligjshëm i të dhënave personale të zgjedhësve, inkurajojmë qytetarët dhe subjektet zgjedhore që në rastet kur evidentojnë shkelje apo cenim të të dhënave personale të ankohen pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”thuhet në deklaratën e përbashkët.