Një nga rajonet me potencial të larë turistik por me shfrytëzim relativisht të ulët mbetet ajo e Liqenit të Prespës. Në një përpjekje për të përfituar nga vëmendja e rritur për Shqipërinë turistike duket se njësitë vendore po plotësojnë elementët e nevojshëm në shërbim të vizitorëve.
Bashkia Pustec që ka nën administrim këtë liqen ka vendosur të ketë qasjen e një parku ekologjik me zona shërbimi për të gjithë turistët nga ata me kamperat tek njësitë e shërbimit apo zona pikniku.
Kontrata “Pastrimi dhe Rivitalizimi i Liqenit të Prespës, Plazhe Ekologjike dhe Turistike për një Zhvillim të Qëndrueshëm” parashikon ndërtimin e një parku tërësisht ekologjik i cili do ti shërbejë zhvillimit të turizmit në Bashkinë Pustec, njëkohësisht edhe Fshatit Zaroshkë. Ky projekt do të zhvillohet në një sipërfaqe 3.4 hektarë.
Ndërhyrjet parashikohen të jenë minimaliste teksa ndriçimi i parkut do të bëhet me anë të instalimit të ndriçuesve të pajisur me panele fotovoltaikë. Rrethimi i parkut do të bëhet me gardh të ulët druri i cili do të mbroje parkun nga kafshët e egra të zonës. Projekti nuk parashikon përdorimin e betonit për ndërtimin e strukturave.
Në total janë menduar nëntë zona për shfrytëzimin e parkut.
Zona 1: Do të shërbejë për qëndrimin e kamperave në një kapacitet deri në 48 njësi.
Zona 2: Do të shërbejë për parkimin e turistëve ditorë. Parkimi do të jetë në forme të organizuar dhe pozicionohet përgjatë rrugës.
Zona 3: Parku rekreativ do të shërbejë për turizmin familjar ditor por është ato me qëndrim të gjatë.
Zona 4: Do të shërbejë për akomodimin e strukturave ndihmese si bar/kafe. Këto struktura parashikohen të ndërtohen me materiale ndërtimore druri të cilat nuk do të inkastrohen me themele të përhershme, pra mund të jenë të lehta për tu hequr.
Zona 5: Do të shërbejë si brez ranor për plazhistet. Në Bregun e dedikuar për zonën e plazhit do të bëhet hedhje artificiale e rërës. Gjurma e rërës do të bëhet përgjatë bregut, 2 m brenda liqenit dhe 15 m në breg.
Zona 6: Do të shërbeje si zonë e dedikuar për piknik ditor. Në këtë nukel do të bëhet vetëm instalimi i tavolina te drurit.
Zona 7: Do të shërbejë si mol ku do të ankorohen varkat dhe mjetet e tjera të lundrimit liqenor. Struktura e molit parashikohet tërësisht me pilota dhe platformat druri.
Zona 8: Do të shërbejë si zonë teknike për trajtimin e ujërave të zeza. Parashikohet ndërtimi i një pusete septike.
Zona 9: Do të jetë tërësisht terren natyror i pa prekur./Monitor