Macron: BE-ja e gatshme të përballet me Trump-in për tarifat tregtare


Bashkimi Evropian do të mbrojë interesat e tij nëse ato vihen në shënjestër, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron, ndërsa liderët e bllokut bënë thirrje për dialog me administratën e re të Donald Trump, por paralajmëruan për një përgjigje të fortë nëse është e nevojshme. 

“Nëse interesat tona tregtare sulmohen, Evropa, si një fuqi e vërtetë, do të duhet të bëjë veten të respektohet dhe të reagojë,” tha Macron para një takimi joformal të mbrojtjes me liderë të tjerë në Bruksel, përcjell The Guardian.

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi se BE-ja është e fuqishme për të reaguar ndaj çdo tarife të SHBA-së, por theksoi se objektivi duhet të jetë bashkëpunimi.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se “nuk ka fitues në një luftë tregtare,” ndërsa kryeministri polak Donald Tusk tha se një përplasje e tillë do të ishte një “gabim i madh,” veçanërisht përballë kërcënimeve nga Rusia dhe Kina. 

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se Danimarka zakonisht nuk mbështet përplasjet me aleatët, por nëse administrata Trump vendos tarifa ndëshkuese ndaj Evropës, BE-ja duhet të përgjigjet në mënyrë të fuqishme dhe kolektive. 

Presidenti amerikan Donald Trump vendosi të shtunën tarifa të larta ndaj mallrave të importuara nga Kanadaja, Meksika dhe Kina, duke shkaktuar masa hakmarrëse nga këto vende. Ai deklaroi të dielën se tarifa të ngjashme ndaj BE-së “do të ndodhin patjetër.” 

Trump përsëriti ankesat e tij të kahershme për deficitin tregtar të SHBA-së me BE-në dhe kërkoi që Evropa të importojë më shumë makina dhe produkte bujqësore amerikane.

“Nuk ka një afat të caktuar për tarifat ndaj Evropës, por do të ndodhin shumë shpejt,” tha ai. 

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump vendosi tarifa mbi çelikun dhe aluminin nga BE-ja, duke çuar në kundërmasa nga Evropa, përfshirë tarifa mbi produkte simbolike amerikane si motorët Harley-Davidson, burboni dhe lëngu i portokallit. 

Komisioni Evropian shprehu keqardhje për tarifat e reja të Trump ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës.

Një zëdhënës i BE-së tha se marrëdhënia tregtare me SHBA-në është më e madhja në botë dhe tarifat shkaktojnë “dëme të panevojshme ekonomike” për të dyja palët. Megjithatë, BE-ja paralajmëroi se do të përgjigjej “në mënyrë të vendosur” ndaj çdo mase të padrejtë tregtare të Trump. 

Kryeministri irlandez Micheál Martin tha se BE-ja dhe SHBA duhet të punojnë së bashku për të shmangur proteksionizmin që dëmton konsumatorët në të dyja anët e Atlantikut. Kryeministri finlandez Petteri Orpo theksoi nevojën për negociata, duke paralajmëruar se kërcënimi më i madh për Evropën mbetet Rusia. 

Ndërkohë, liderët e tjerë evropianë bënë thirrje për një përgjigje të fortë. Kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, tha se tarifa duhet të kundërpërgjigjet me masa të njëjta, edhe pse në fund janë gjithmonë të dëmshme.

Ministri spanjoll i ekonomisë, Carlos Cuerpo, theksoi se BE-ja është e hapur për tregtinë, por nuk duhet të jetë naive dhe duhet të mbrojë kompanitë e saj. 

Ministri francez i industrisë, Marc Ferracci, theksoi se bisedimet me SHBA-në duhet të reflektojnë një “dinamikë fuqie” dhe se çdo kundërpërgjigje duhet të fokusohet tek produktet më të rëndësishme për ekonominë amerikane.  

Friedrich Merz, kreu i opozitës gjermane dhe kandidati kryesor për kancelar, paralajmëroi se tarifat e Trump do të dëmtojnë kryesisht konsumatorët amerikanë. 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Francës, François Villeroy de Galhau, i cilësoi tarifat e reja të Trump si “brutale” dhe të rrezikshme për stabilitetin ekonomik. 

Përballë këtyre zhvillimeve, BE-ja duket e vendosur të mbrojë interesat e saj, duke kërkuar dialog, por edhe duke përgatitur kundërmasa të fuqishme nëse administrata Trump e çon përpara kërcënimin për tarifa të reja.