Rikonstruksioni i godinave në Qytet Studenti/ “Shqipëria histori suksesi”- Rama


Kryeministri Edi Rama, ministrja për Arsimin dhe Sportin Ogerta Manastirliu, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, morën pjesë sot në përurimin e godinave 16 dhe 17 të konvikteve në Qytetin Studenti, të cilat janë rinovuar me kushte bashkëkohore për studentët.

Këto konvikte ofrojnë dhoma moderne, sallat e leximit, internet falas, dhe janë gjithashtu të rehabilituara me efiçensë energjetike.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se këto godina mund të konsiderohen të nivelit “A” sipas standarteve europiane, duke krahasuar kushte më të mira sesa ato në konviktet e disa qyteteve të mëdha europiane si Paris dhe Londër.

Ai theksoi se ky investim nuk është bërë për efekt të shpejtë, por për të ofruar kushte të qëndrueshme dhe të nivelit të lartë për studentët.

“Gjërat nuk arrihen sa hap e mbyll sytë, jo si komentet në FB apo fjalët në televizor që nuk kanë nevojë për kohë e nuk reflektojnë asnjë mendim të thelluar, por duan kohën e tyre. E bëmë me shpejtësi një rehabilitim të një numri godinash.

Duhet të ofrojmë kushte maksimale me kushtet më të mira në krahasim me kushtet e studentëve në BE. Është një konvikt që do të qëndronte në kategorinë A të çdo vendi në BE.

Ka konvikte edhe në Paris e Londër që janë 4 vetë në një dhomë. Këtu çdo dhomë ka dushin e vet. Kjo është një ambicie që me mundësive që rrisim çdo vit falë rritjes së ekonomisë, të bëjmë gjëra që i qëndrojnë për një periudhë të gjatë kohës, jo gjëra për sot e nesër. Ndërkohë po në këtë qytet po ngrihet edhe Kolegji i Europës.

Shqipëria është një histori suksesi, për të ardhur keq që për ata që nuk duan qeverinë, mohojnë faktin që Shqipëria që është vendi i përbashkët i të gjithëve pavarësish nëse janë jo me qeverinë, është një histori suksesi”, tha Rama.