Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka deklaruar se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur të shtyjë për një muaj vendosjen e tarifave mbi importet nga Meksika, përcjell BBC.
Trump kishte njoftuar më herët se një taksë doganore prej 25% do të hynte në fuqi të martën për mallrat e importuara nga Meksika, Kanadaja dhe Kina.
Lajmi ka ndikuar në bursat amerikane, të cilat regjistruan rënie pas hapjes së tregtisë për herë të parë që kur Trump konfirmoi tarifat.
Edhe tregjet në Azi pësuan rënie gjatë tregtimit të së hënës, ndërsa bursat evropiane ranë pak pas hapjes.
Më herët, Trump paralajmëroi se do të vendosë “pa diskutim” tarifa mbi Bashkimin Evropian, por la të hapur mundësinë për të arritur një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar.
Në anën tjetër, Kanadaja ka reaguar menjëherë ndaj vendimit të SHBA-së duke vendosur tarifa hakmarrëse mbi mallrat amerikane.
Trump ka dhënë disa arsye për vendosjen e tarifave, përfshirë sigurinë kufitare, luftën kundër trafikut të drogës dhe reduktimin e defiçitit tregtar.