Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënimin me 35 vite burg për Jemin Sherën, i dyshuar si organizator i vrasjes së Behar Sofias.
Hetimet kanë treguar se Shera e ka marrë porosinë për ekzekutimin e Sofias dhe ka formuar një grup kriminal për realizimin e vrasjes, raporton Shqiptarja.com.
Pjesëtarët e grupit kanë vëzhguar Sofian për gjashtë muaj deri në momentin e ekzekutimit mëngjesin e 25 shkurtit 2021, afër Piramidës në Tiranë.
Ekzekutori, Ernejt Shyti, ka qëlluar Sofian dhe është larguar në këmbë, përpara se të merrte një biçikletë dhe të largohej drejt Kodrave të Liqenit.
Shyti u arrestua në Mal të Zi dhe në dëshminë e tij ka dhënë detaje mbi rolin e të pandehurve të tjerë.