6 tërmete në 50 minuta në Amorgos dhe Anafi, mbyllen shkollat deri më 7 shkurt


Gjashtë tërmete me intensitet mesatar janë regjistruar këtë mëngjes në Amorgos dhe Anafi, me magnitudë nga 3.1 deri në 3.9 Rihter.

Tërmetet kanë shkaktuar shqetësime në zonë, duke i detyruar autoritetet të mbyllin shkollat deri më 7 shkurt në Thira, Anafi, Ios dhe Amorgos.

Porti i Santorinit ishte mbushur me njerëz që prisnin të hipnin në tragete për në Pire, ndërsa linjat speciale të trageteve Kissamos dhe Blue Star Paros po transportonin mijëra pasagjerë.

Sipas të dhënave, mbi 9,000 persona, përfshirë banorë dhe turistë, janë larguar nga ishulli, ndërsa qytetarëve u janë dhënë rekomandime për të shmangur rreziqet e mundshme.

Efthymios Lekkas, kreu i Organizatës së Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmeti deklaroi:

“Ky aktivitet sizmik nuk do të pushojë në ditët në vijim, do të vazhdojë edhe për disa ditë, ndoshta edhe disa javë, duke qenë se kemi të bëjmë me një proces jashtëzakonisht kompleks të evolucionit të fenomenit. Sizmologët janë konfuzë pasi ende nuk është regjistruar një tërmet i madh që të zhbllokohet gjithë energjia e akumuluar.

E ashtuquajtura breshëria e tërmeteve ka epiqendër zonën detar E 30 km në verilindje të Santorinit, fakt që shihet si pozitiv sepse ndodhet larg vullkanit të ishullit.

Por nga ana tjetër mund të aktivizojë një prej pllakave tektonike që sollën tërmetin e madh prej 7.7 Rihter me 55 viktima në vitin 1956.

Gjithashtu një prej skenarëve të tejskajshëm dhe thuajse të pamundur është edhe aktivizimi i një prej vullkaneve nënujorë, Kolumbos.”

“Duhet të menaxhojmë një fenomen gjeologjik shumë intensiv. Dua t’i kërkoj banorëve tanë të ishullit, para së gjithash, të qëndrojnë të qetë dhe të dëgjojnë udhëzimet e mbrojtjes civile”, ka deklaruar Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.

Sekuenca e vazhdueshme sizmike në Cyclades është e lidhur me aktivitetin vullkanik, sipas profesorit të Gjeologjisë në Universitetin e Patrës, Avraam Zelilidis.

Duke shpjeguar procesin gjeologjik, profesori i Gjeologjisë Zelilidis tha: “Ndërsa Afrika po zbret poshtë Evropës, përgjatë një harku që shkon në jug të Kretës, në një thellësi rreth 80 kilometrash, pllaka afrikane që fundoset fillon të shkrihet.

Ky proces krijon një hark të posaçëm vullkanik që shtrihet nga Methana, Milos, Nisyros dhe deri në Sousaki.

Këto vullkane janë të njohura për aktivitetin e tyre, megjithatë, ato nuk kanë shpërthyer për një kohë të gjatë.

Vetëm Santorini shpërthen periodikisht. Pjesa tjetër e vullkaneve nuk ka shfaqur aktivitet, por ne e konsiderojmë këtë hark vullkanik si të aktivizueshëm, që do të thotë se në çdo moment mund të riaktivizohen edhe vullkanet e tjera.”