Ditën e sotme Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi me bujë se Elbasani nuk kishte asnjë vrasje gjatë vitit 2024.
“Gjatë analizave, Drejtori përgëzoi strukturat e Policisë së qarkut Elbasan, sepse rritja e forcës policore parandaluese mundësoi që gjatë vitit 2024, në këtë qark të mos kishte asnjë vrasje. Ky rezultat nuk ishte shënuar në këtë qark që nga viti 1989-thuhej në postimin e Policisë së Shtetit që njoftonte mbi analizën që policia e shtetit bëri për qarqet Elbasan dhe Korçë.
Por vdekja nga shpërthimi i tritolit e të riut Enea Thomaraj nxjerr zbuluar gënjeshtrën e Prodës.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 korrik, kur një sasi eksplozivi u vendos në hyrjen e apartamentit të fqinjit të Enea Thomaraj duke lënë të plagosur rëndë të riun, i cili nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin.
Ai ndërroi jetë në spital pas disa muajsh në gjendje të rëndë.
Tritoli u vu në derën e apartementit të marrë me qira nga motrat Xhovana dhe Alda Nikolli. Për atentatin motrat Nikolli kanë akuzuar të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani për shkak të një konflikti që ato kishin pasur me të.
Alda Nikolli ka deklaruar në Prokurorinë e Posaçme se prej dy muajsh ka qenë e lidhur me Nuredin Dumanin dhe me këtë të fundit, edhe pse mbahet i izoluar ka patur komunikime të shpeshta përms “Skype”.
Ndërkohë motra tjetër, Xhovana Nikolli njihet për lidhjen e saj me Amarildo Nikollin i cili u arrestua nga policia rreth një vit më parë, si i dyshuar që ishte porositur për të vrarë dy persona në qytetin e Vlorës.
‘Shkodrani’, siç edhe thirret nga shoqëria, po qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje dhe dyshohej se kishte ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer një vrasje me pagesë.
Nikolli është bërë bashkëpunëtor me drejtësinë ku dyshohet se ka zbardhur dhe porosinë e vrasjes qe ai ishte nisur ta kryente në qytetin e Vlorës, e po ashtu dhe disa vrasje të tjera të bujshme në vendin tonë.