Kina hakmerret ndaj SHBA-së, vendos tarifa për gazin dhe qymyrin amerikan


Kina ka vendosur tarifa për importet e gazit të lëngshëm, qymyrit dhe pajisjeve bujqësore të SHBA-së dhe ka njoftuar një hetim antitrust ndaj Google, duke paralajmëruar hakmarrje kundër vendosjes së një tarife shtesë prej 10 për qind nga Donald Trump për eksportet e saj.

Kina njoftoi masat, që do hyjnë në fuqi më 10 shkurt, pasi tarifa e re amerikane hyri në fuqi, duke nisur një tur të dytë të luftës tregtare që filloi gjatë mandatit të parë të Trump.

Kina tha gjithashtu se do vendosë tarifa për disa eksporte të makinave nga SHBA-ja.

Trump ka akuzuar Kinën se nuk ka bërë mjaftueshëm për të frenuar rrjedhën e fentanilit vdekjeprurës dhe pararendësve të tij në SHBA.

Mosmarrëveshja midis Kinës dhe SHBA-së vjen pas një ndalimi të masave ndaj Meksikës dhe Kanadasë, të cilat Trump e kishte kërcënuar se do t’i godiste me tarifa 25 për qind. Këto tarifa u vonuan për një muaj pas bisedimeve të minutës së fundit midis Trump dhe kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe presidentes meksikane Claudia Sheinbaum.

Trump pritet të flasë me liderin e Kinës Xi Jinping në ditët në vijim.