“Po na u prekën interesat do ngrihemi në këmbë” – Macron paralajmëron ashpër Trump-in


BE-ja do ngrihet në këmbë nëse goditen interesat e saj, ka thënë Emmanuel Macron, ndërsa krerët e bllokut po bisedojnë me njëri-tjetrin për një kundërpërgjigje të fortë nëse është e nevojshme ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Trump për tarifa.

“Nëse sulmohen interesat tona tregtare, Europa, si një fuqi e vërtetë, do duhet të respektohet dhe për këtë arsye të reagojë”, tha presidenti francez teksa mbërriti për një takim jozyrtar të mbrojtjes me krerët e tjerë në Bruksel të hënën.

“Zgjedhjet dhe deklaratat e fundit nga administrata e presidentit të ri të SHBA-së po e shtyjnë BE-në të jetë më e bashkuar dhe më aktive për t’iu përgjigjur çështjeve të sigurisë së përbashkët”, tha ai.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se BE-ja ishte mjaft e fortë për të reaguar ndaj çdo takse tregtare të SHBA-së, por “qëllimi duhet të jetë që gjërat të zgjidhen me bashkëpunim”. Shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, tha se nuk do kishte “fitues në një luftë tregtare mes BE-së e SHBA-së”.

Evropa dhe SHBA kanë nevojë për njëra-tjetrën, tha ajo, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk, tha se një luftë tregtare ishte “një gabim i plotë” dhe duhet bërë gjithçka që është e mundur për të ndaluar aleatët që luftojnë “përballë një zgjerimi të kërcënimit rus e kinez”.