Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan është takuar sot me presidentin e përkohshëm sirian Ahmed al-Sarrah në pallatin presidencial në Ankara.
Sipas raportimeve, bisedimet mes dy liderëve përfshijnë marrëveshje mbrojtëse për krijimin e dy bazave turke në Siri, si dhe trajnimin e ushtrisë siriane dhe pilotëve të saj nga forcat e armatosura turke.
Çfarë parashikon marrëveshja që Erdogan diskutoi me al-Sarrah?
Raportet turke bëjnë me dije gjithashtu se marrëveshja parashikon që Turqia do të vendosë avionë luftarakë F-16 në këto baza derisa të krijohet një forcë ajrore siriane dhe do të përdorë hapësirën ajrore siriane për qëllime ushtarake.
Gjithashtu ka informacione se Turqia do t’i sigurojë Sirisë drone.
Turqia, e cila ndan një kufi 910 kilometra me Sirinë, ka pritur rreth tre milionë refugjatë sirianë. Rreth 80,000 prej tyre janë kthyer në Siri që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asad.
Turqia mbështet udhëheqjen e re siriane dhe deklaron gatishmërinë e saj për të marrë pjesë në rindërtimin e vendit.
Nga Riadi, lideri sirian përshëndeti “vullnetin e vërtetë të Arabisë Saudite për të mbështetur Sirinë në ndërtimin e së ardhmes së saj” dhe foli për një partneritet të vërtetë.
Ai sqaroi se gjatë takimit të tij me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, ata diskutuan programe të mëdha të së ardhmes në fushat e energjisë, teknologjisë, arsimit dhe shëndetësisë.
Udhëheqja e re në Damask po mbështet te vendet e pasura të Gjirit për të financuar rindërtimin e vendit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë së tij pas 14 vitesh lufte dhe sanksionesh ndërkombëtare.
Vizita e Ahmed al-Sharaa në Riad shënon gjithashtu distancimin e Sirisë nga Irani dhe dobësimin e pozicionit të Teheranit në rajonin e Lindjes së Mesme.