Kryeministri Edi Rama ka nisur sot një seri përgjigjesh ndaj komenteve në rrjetet sociale, të cilat do të zhvillohen në lidhje live çdo të martë dhe të enjte në orën 08:30.
Gjatë seancës së tij të parë, ai iu përgjigj një komentuesi në lidhje me shtetin Bektashi.
Rama theksoi se shteti shqiptar nuk mund të copëtohet dhe se nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një shteti të tillë.
Kam pas shumë ankesa për atë Sy m’sy”, pse s’u përgjigjesh ankesave. Jo mor xhan si do copëtohet shteti shqiptar kaq kollaj me një të rënë të lapsit, po kjo nuk bën vaki.
Pse shteti italian i copëtuar të duket që ka jo një, por dy struktura brenda, të cilat kanë një sovranitet të caktuar aty. Ndërkohë që në rastin tonë nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një shtet siç e mendoni ju gabimisht.
Nuk bëhet fjalë për gjëra të kësaj natyre, bëhet fjalë për entitet që nuk ka dogana, taksa, polici. Në të gjitha aspektet i përgjigjet Kushtetutës së Shqipërisë.
Ai gjithashtu i kthye përgjigje pyetjeve për rolin e Kishës Autoqefale, duke zbuluar amanetin e Janullatos, i cili kishte lënë udhëzime që pasardhësi i tij të ishte shqiptar.
Kryeministri theksoi se ky amanet ka mbyllur çdo mundësi për ngritjen e hipotezave mbi rolin dhe historikun e ish-krerëve të Kishës Autoqefale.
“Të rrimë shtrembër dhe të flasim drejtë, unë besoj se me amanetin e tij publik në shtypin grek pak kohë para se të ndahej nga jeta, ai ka mbyllur të gjitha gojët dhe nuk ka lënë shteg për askënd për të ngritur hipoteza për rolin, figurën, bilancin historik të qëndrimit të tij në krye të Kishës Autoqefale.
Ai ka thënë që pasardhësi im do të jetë shqiptar, ku ka thënë se ne nuk kemi shkuar në Shqipëri për të ndërtuar një koloni, por për një Kishë Autoqefale dhe njësoj siç ne, pra grekët, nuk e përfytyrojmë dot në Greqi një Kryepeshkop serb apo bullgar, si mund të përfytyrohet në Shqipëri dikush tjetër, përveç se një Kryepeshkop shqiptar.
Ndërkohë që në momentin e ardhjes së tij, ishte e pashmangshme vendosja e një Kryepeshkopi jo shqiptar, ne nuk e kishim mundësinë të kishim një kryepeshkop shqiptar.
Kjo është e thjeshtë dhe të gjithë teoritë e konspiracionit dhe luftërat imagjinare të bazuara nga frymëzimet e shekullit të kaluar, ku patriotët shqiptarë kanë pasur probleme të rënda dhe kanë humbur jetën nga rryma të ndryshme të kishës, janë të pavend sot ne shekullin e 21.”