“Vëllezërit tanë gjermanë e holandezë s’janë budallenj që mbajtën Merkelin e Rutten 4 mandate” – Rama i përgjigjet komentuesit


Kryeministri Rama iu përgjigj një komentuesi në Facebook i cili e pyeti pse nuk largohet nga pushteti njësoj siç ndodh në SHBA,ku presidentët mund të zgjidhen vetëm për dy mandate radhazi.

Kreu i qeverisë tha se gjermanët e holandezët nuk janë budallenj që kanë mbajtur në pushtet kancelaren Merkel për katër mandate e kryeministrin Rutte po ashtu.

Në serinë e re të bashkëbisedimeve “Sy m’sy” ai tha se shqiptarët nuk janë popull budalla  dhe se do votojnë atë që e meriton.

“Si mund të thuhet kjo. Apo se është një pjesë e atyre në mexhelisin tonë që nuk dinë tjetër vetëm të ndërtojnë fjali të tilla dhe të batërdisin veshin e miletit me fjali të tilla. Nuk di çfarë thua dhe as nuk ke asnjë lidhje me pse jam këtu. Dhe me çfarë merrem duke u zgjuar i pari dhe duke rënë i fundit. Budallenj ishin vëllezërit tanë gjermanë që mbajtën 4 mandate 2 kancelarë në 30 vite? Si thua budallenj ishin vëllezërit tanë holandezë që e kishin 4 mandate kryeministrin. Kjo ka lidhje me vullnetin të kujt beson se ka akoma për të dhënë dhe të popullit që vendos kush ia kërkon votën, meriton votën. Nëse ka një gjë që kurrë nuk mund të thuhet, është popull budalla. Kur vjen puna për politikën është njish.” – tha Rama.