Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se PD-ja do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa Partia Socialiste do të pësojë një rënie drastike në rezultat, duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 1992.
Berisha shtoi se vota e shqiptarëve jashtë vendit është një e drejtë që është mohuar padrejtësisht, por që tashmë është shprehur për PD-në.
Ai gjithashtu theksoi se krimi elektoral dhe korrupsioni do të shpallen krime të rënda dhe do të ndëshkohen me masa ekstreme.
“PD-ja del fitimtare në këto zgjedhje dhe PS-ja reduktohet në rezultatin më mjeran që nga viti 1992.
Nga informacionet që kam është se vota e shqiptarëve jashtë vendit shkon për PD-në. Deri sot kjo ka qenë një e drejtë që atyre u është mohuar padrejtësisht.
Krimi elektoral dhe korrupsioni do shpallen krime të rënda. Për këto dy vepra penale do ketë ndëshkime ekzemplare dhe do hiqet e drejta e parashkrimit për këto dy vepra penale. I bëj thirrje administratës të mos shndërrohen në skllevër të ministrave hajdutë.”