Bienalja e Arteve Islame si shfaqje e Arabisë së re Saudite nën Princin e Kurorës


Pjesa qendrore e Bienales së Arteve Islame, e cila u hap në Jeddah javën e kaluar, është po aq e pazakontë në konceptimin dhe vendndodhjen e saj. Brenda në një nga dhjetëra tendat e larta në Terminalin Perëndimor të Haxhit në” Aeroportin Mbreti Abdulaziz” të Jeddah nëse ngrini koën lart mund të shihni të varur në tavan një nga simbolet më të shenjta të Islamit, perden që dikur zbukuronte Qaben në Mekë.

E njohur si Kiswah, mbulesa është bërë prej mëndafshi të zi dhe e qëndisur me fije ari me pasazhe nga Kurani. Për shekuj me radhë, Qabeja – ndërtesa në formë kubi që tërheq besimtarët nga e gjithë bota – është veshur me një mbulesë (Kiswah) të re për çdo vit gjatë pelegrinazhit të Haxhit. E vjetra zakonisht vendoset në një magazinë; ndonjëherë, ajo ndahet në seksione që qeveria saudite t’i japë si dhurata.

Vënia në ekspozitë e Kiswah-ut të vitit të kaluar si një vepër arti për t’u parë nga publiku është një largim nga zakoni. Është hera e parë që një Kiswah e plotë shfaqet në tërësi dhe diçka që ndoshta nuk mund të përsëritet, tha Farida Alhusseini, drejtoreshë e bienales. Përvoja synon të “frymëzojë nderim dhe një ndjenjë përulësie për vendin tonë si pjesë të botës së madhe”.

Perdetë janë midis më shumë se 500 pjesëve të tjera – duke përfshirë një Kuran gjigant, objekte të lashta të huazuara nga Vatikani dhe vepra bashkëkohore të ndërtuara nga fuçi nafte, shkopinj dhe çarçafë – në bienalen, që do zgjasë deri më 25 maj. Kjo është e dyta bienalee, e montuar në një shkallë eksponenciale më të madhe se e para, në 2023.

Edhe pse haxhi i këtij viti nuk fillon deri në fillim të qershorit, shfaqja do jetë e aksesueshme për muslimanët që udhëtojnë nëpër Jeddah gjatë rrugës për në Mekë për pelegrinazh gjatë gjithë vitit të njohur si Umrah – dhe për turistët që vizitojnë destinacione gjithnjë e më të njohura si AlUla ose bregu i Detit të Kuq . Më shumë se 600,000 vizituan Bienalen e Arteve Islame dy vjet më parë. Organizatorët presin të paktën kaq shumë përsëri këtë vit.

Për të pranishmit, bienalja e Jeddah është një mundësi për të parë pikat më të larta të krijimtarisë dhe kulturës në gjithë qytetërimin islam. Ka muze të përkushtuar ndaj artit islam në vende si Kajro, Stamboll dhe Doha, por bienalja është një formë shumë e ndryshme e shtrirjes kulturore, që sjell artin tek njerëzit – dhe veçanërisht tek besimtarët – dhe jo anasjelltas.

Për Arabinë Saudite, ku shfaqjet publike të artit ishin të rralla edhe një dekadë më parë, është një mundësi për të kapur hapin me ato qendra të tjera kulturore të botës islame, me një shfaqje që ka legjitimitet shtesë nga fakti që po zhvillohet kaq afër. në vendlindjen e besimit.

“Kjo tregon se Arabia Saudite, një vend për të cilin 10 apo 15 vjet më parë nuk njihej se kishte një skenë kulturore, është sot në gjendje të nisë dhe të vërë në skenë projekte të mëdha kulturore në shkallë të gjerë që nuk janë të pakta në cilësi”, tha Amin Jaffer. një nga drejtuesit artistikë të bienales.

“Ka mbërritur në skenën kulturore”.

Është gjithashtu një mundësi tjetër për të shfaqur shndërrimin gjithëpërfshirës që po ndodh në mbretëri nën sundimtarin e saj de fakto, Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, i njohur gjerësisht si MBS. Pjesa më e madhe e mesazheve rreth këtij shndërrimi i është drejtuar publikut perëndimor e liberal: koncertet rock në Riad sfidojnë reputacionin tradicional të mbretërisë për konservatorizëm të skajshëm.

Por bienalja flet për një publik shumë të ndryshëm. Shumica e pelegrinëve vijnë në Jeddah nga vendet që janë pjesë e jugut global, shumë nga shoqëritë tradicionale. Për shumë njerëz, bienalja do jetë përvoja e tyre e parë e Arabisë Saudite të re nën MBS. Ekspozita, thotë artisti saudit Muhannad Shono, i cili është kuratori i artit bashkëkohor, sjell objekte të lashtësisë islame “në afërsi dhe bashkëbisedë me të menduarit bashkëkohor”.

Krahasimi nuk humbi tek vizitorët e hershëm të ekspozitës.

“Arabia Saudite nuk do kishte pasur këtë shumë kohë më parë,” tha Zainab Anwar, një artiste 25-vjeçare nga Pakistani që vizitoi bienalen me nënën e saj një ditë pas hapjes.

“Kjo është një përzierje e artit që nuk është parë kurrë dhe një mënyrë për të përdorur rrënjët e tyre si një përpartësi për të nxitur turizmin.”

Anwar foli duke parë një instalim prej shtatë kolonash që dikur rrethonin vendin e adhurimit ritual rreth Qabes. Nëna e saj, Shabana, ishte veçanërisht e interesuar për mbledhjen e Kuraneve nga vende si Egjipti, Maroku, Spanja dhe Turqia.

Aty pranë, në një kopsht në natyrë të mbrojtur nga dielli me tenda, ku tingujt e dobët të motorëve të avionëve të largët shërbejnë si zhurmë sfondi për shikuesit e veprave abstrakte dhe bashkëkohore, një grua saudite foli për stereotipet kulturore që ende duhen kapërcyer.

“Disa njerëz kanë idenë e gabuar për ne, se ne nuk po mirëpresim ose nuk kemi mikpritje,” tha Ulaa AlHaddad, një 28-vjeçare nga Jeddah, e cila po studion shkenca kompjuterike. Ajo shpreson se bienalja do t’u tregojë vizitorëve “si po mendojmë për epokën e re të Saudisë”.

Brenda vendit ku varet Kiswah, vizitorët ngrinin kokën lart dhe duken të përqendruar thellë te mbulesa. Për jomuslimanët, kjo mund të jetë ndjesia më e afërt me emocionin e thellë që ngjall një shëtitje rreth Qabesë  që pret miliona pelegrinë çdo vit. Heshtja soditëse, madje nderuese nën tendë, ndihet krejtësisht e natyrshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani