Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se nëse PD vjen në pushtet, do të eliminohen flukset e trafikimit të njerëzve dhe emigracioni ilegal nga Shqipëria drejt vendeve të tjera.
Ai theksoi se kjo do të arrihet përmes forcës së ligjit dhe shtetit ligjor, duke u angazhuar për ndalimin e përdorimit të territorit të Shqipërisë nga emigrantët që kërkojnë të arrijnë në Perëndim.
“Por duhet ta them këtu, sot në axhendën e të gjitha qeverive më serioze, përfshi presidentin e SHBA, Trump, është problemi i trafikut njerëzor, i emigracionit, i refugjatëve.
Partnerët, aleatët tanë e kanë shumë të qartë se me PD-në në pushtet, zero flukse trafikimi drejt vendeve të tjera. Nuk do ketë më emigrantë që të përdorin territorin e Shqipërisë për të ecur drejt Perëndimit. Ligji, ata e dinë që është forcë e ligjit, shteti ligjor, PD.”
Berisha foli gjithashtu për vizitën e tij në Gjermani, ku theksoi se ka ndjerë një përzemërsi të jashtëzakonshme ndaj përfaqësuesve të PD-së, duke e cilësuar këtë udhëtim si një “udhëtim drejt fitores.”
Ai përmendi shkëmbimin e mendimeve me miq të rinj dhe të vjetër, të cilët janë të informuar për qëndrimet e PD-së dhe përpjekjet e saj për të nxjerrë Shqipërinë nga “narkodiktatura.”
“Mund t’u them se ishte udhëtim drejt fitores pasi e kuptoni vetë, pjesëmarrja pas kaq vitesh në një kongres, unë mund t’ui them ju se përzemërsia ndaj nesh, ndaj përfaqësuesve të PD-së, ishte më e madhe se asnjëherë.
Nuk kam gjetur ndonjëherë një përzemërsi të tillë në ndonjë konventë ndërkombëtare. Ishte një udhëtim drejt fitores, pasi aty pata rastin të takoj shumë miq gjatë gjithë ditës.
Miq të vjetër, që kemi pasur bashkëpunim të ngushtë, por edhe miq të rinj, që ishin të informuar për qëndrimet e PD-së, vendosmërinë e saj për të nxjerrë Shqipërinë nga narkodiktatura.
Aty patëm shkëmbime miqësore mendimesh, shtrëngim duarsh, por që të gjitha asgjë spontane, të gjitha të organizuara, të llogaritura, të suksesshme, domethënëse”, tha ai.