Nis samiti i kryebashkiakëve “Pact of Free Cities” në Tiranë, Veliaj: Krijojmë ura të reja bashkëpunimi mes qyteteve


Samiti “Pact of Free Cities” ka nisur sot në Tiranë, për herë të parë, me pjesëmarrjen e kryetarëve të bashkive nga qytete të rëndësishme të Europës dhe botës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij hapëse shprehu mirënjohjen për të gjithë të pranishmit dhe për transformimin rrënjësor të Tiranës, e cila është bërë një qendër e kulturës dhe dialogut mesdhetar.

Veliaj theksoi se qytetet mund të ndryshojnë dhe se është e mundur të krijohen hapësira të hapura për qytetarët, duke investuar në solidaritet dhe politika sociale.

Ai gjithashtu prezantoi “Deklaratën e Tiranës”, një angazhim i qyteteve për solidaritet dhe mbështetje ndaj atyre që largohen nga persekutimi, lufta dhe vështirësitë ekonomike.

“Kur shoh se si qyteti më i izoluar në Europë është sot Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut, më bën shpresëplotë se qytetet mund të ndryshojnë; vendet, shoqëritë, realitetet mund të ndryshojnë.

Çdo gjë është e mundur nëse secili prej nesh merr seriozisht angazhimin tonë për të qenë transformues, inovatorë dhe hapësira të hapura për qytetarët tanë, por të hapura edhe për të tjerë, që vijnë nga vështirësitë që mund të sjellë lufta, ndryshimet klimaterike apo sfidat e jashtëzakonshme ekonomike.

Patëm një takim me dyer të mbyllura për të miratuar atë që quhet Deklarata e Tiranës, një përkushtim dhe angazhim i qyteteve për të qenë më afër njëri-tjetrit, më sdolidarë, për të qenë qytete të hapura, sidomos ndaj atyre që largohen nga persekutimi, nga lufta, nga vështirësitë ekonomike, për të treguar se, ashtu siç na dëshmoi sot kryetari i Këshillit të Vienës, se qytetet që investohen në solidaritet dhe në politika sociale janë edhe qytete më të sigurta.

Kjo është arsyeja pse nën këtë shembull kemi sot paketën më të madhe sociale të strehimit në Tiranë. Vetëm në thirrjen e fundit kemi 1200 apartamente të reja.

Ky është viti i parë ku jo vetëm studentët, por edhe pensionitët, udhëtojnë falas në të gjithë sistemin tonë të transportit publik dhe besoj se secili prej nesh nuk ka nevojë të shpikim rrotën, por të mësojmë nga qytetet më të mira për t’u bërë edhe ne më të mirë në vijim”, përfundoi Veliaj.