Rama: Kundërshtova Bankën Botërore për pensionet e çmimin e energjisë


Kryeministri Edi Rama, gjatë Konferencës Ndërkombëtare për reformën e pensioneve, ka bërë të ditur se Banka Botërore i ka kërkuar qeverisë shqiptare të ulen pensionet dhe të rriten çmimet e energjisë, një kërkesë që sipas tij, qeveria e ka refuzuar. Rama theksoi se përkundrazi, do të vazhdohet reforma e sistemit dhe se nuk do të ketë rritje të çmimeve të energjisë.

Ai vuri në dukje suksesin e reformës së pensioneve të vitit 2014, e cila ka sjellë rritje të ndjeshme për pensionet, por gjithashtu ka evidentuar pabarazitë mes pensionistëve që janë pensionuar para dhe pas 2014.

“Banka Botërore na kërkoi të ulnim pensionet dhe të rrisnim çmimin e energjisë. Përgjigjja jonë ishte JO. Ne do të reformojmë sistemin.

Nuk rrisim çmimin e energjisë sepse do të reformojmë sistemin dhe do të garantojmë që të gjithë të paguajnë. Kjo ka ndodhur.

Ashtu sikundër në sistemin e pensioneve është menduar sot për sot dhe u krijuan premisat e një skeme në prag të kolapsit.

Në reformën e 2014 për pensionet bëmë një proces si sot, përfshimë mjaft aktorë dhe bashkëpunuam me eksperten që na vuri në dispozicion BB. Një histori suksesi kjo.

Nuk është e thënë që të gjitha historitë me BB të jenë histori suksesi, por në këtë rast ishte dhe sot kemi dy pasqyra përballë, atë të pensioneve që kanë në pension pas 2014 dhe atyre që kanë dalë para 2014.

Janë dy pasqyra që mund të shërbejnë për shumë leksione dhe mësime në shkollë lidhur me si dhe sa mund ta dëmtojë një politikë dritëshkurtër një shtresë të tërë të popullit.

Pensionistë sot të cilët kanë patur të njëjtat vite pune, kanë paguar të njëjtat sigurime shoqërore por kanë dalë në sistem në kohë të ndryshme para dhe pas reformës, marrin 2 pensione të ndryshme.

Sot mjekë, mësues ekonomistë, njerëz nga sistemi i drejtësisë që kanë dalë në pension pas 2014 marrin pensione mbi 500 euro, ndërsa kolegët e tyre që kanë dalë në pension para 2013, marrin pensione shumë të më ulta.

Plagë që po mbyllet por sërish ka që po vuajnë nga ajo plagë.”