Presidenti amerikan Trump tha të martën se Shtetet e Bashkuara “do marrin përsipër” Rripin e Gazës – ndoshta me ndihmën e trupave amerikane, ndërsa palestinezët që jetojnë atje duhet të largohen, një propozim që do riformatonte në mënyrë dramatike Lindjen e Mesme dhe do shtynte drejt rizhvendosjes një popullsi prej më shumë se një million palestinezësh.
“Shtetet e Bashkuara do marrin përsipër Rripin e Gazës dhe ne do bëjmë diçka me të,” tha Trump gjatë një konference të përbashkët shtypi së bashku me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu, duke e përshkruar më vonë vizionin e tij për këtë zonë si një “rivierë të re”.
“Ne do ta zotërojmë atë dhe do jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në kantier, do ta rrafshojmë vendin dhe do rrënojmë ndërtesat e shkatërruara,” tha ai.
I pyetur nëse ai ishte i gatshëm të dërgonte trupa amerikane për të mbushur një vakum sigurie në Gaza, Trump nuk e përjashtoi këtë, shkruan CNN.
“Për sa i përket Gazës, ne do bëjmë atë që është e nevojshme. Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë atë. Ne do të marrim përsipër atë pjesë që do ta zhvillojmë,” tha ai.
Komentet e Trump janë një pohim i jashtëzakonshëm nga një president amerikan në detyrë.
“Unë shoh një pozicion afatgjatë të pronësisë dhe e shoh që sjell një stabilitet të madh në atë pjesë të Lindjes së Mesme, dhe ndoshta në gjithë Lindjen e Mesme”, u tha Trump gazetarëve.
Ai tha më vonë: “Ky nuk ishte një vendim i marrë lehtë. Të gjithëve me të cilët kam folur e pëlqejnë idenë që Shtetet e Bashkuara të zotërojnë atë pjesë toke, të zhvillojnë dhe krijojnë mijëra vende pune me diçka që do jetë madhështore.Unë nuk mendoj se njerëzit duhet të kthehen në Gaza. Kam dëgjuar se Gaza ka qenë shumë e pafat për ta. Ata jetojnë si ferr. Gaza nuk është një vend ku njerëzit të jetojnë dhe arsyeja e vetme që ata duan të kthehen, dhe unë e besoj fort këtë, është sepse ata nuk kanë alternativë.”