Vrasja 41-vjeçarit nga babai, dyshohet se sherri për pronën shkaktoi përplasjen në familje



Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e 41-vjeçarit Asim Gjoni nga babai i tij, 74-vjeçari Hekuran Gjoni, ngjarje e ndodhur në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë.

Sipas burimeve policore, konflikti mes tyre kishte nisur për çështje pronësie. Hekuran Gjoni kishte ndarë më herët banesën trekatëshe mes tre djemve të tij, duke i dhuruar secilit nga një kat. Kati i parë i takonte viktimës, i cili jetonte aty me familjen, ndërsa në një pjesë të këtij kati jetonin edhe prindërit e tij. Konflikti mes palëve kishte nisur kur vajza e vogël e familjes, e cila ishte divorcuar dhe ishte rikthyer te prindërit, kishte kërkuar një pjesë të pronës.

Ngjarja ndodhi pasi debati për pronën u përshkallëzua dhe çoi në përplasjen mes babait dhe djalit. Gjatë konfliktit, 74-vjeçari ka goditur me thikë të birin, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën. Në momentin e ngjarjes në banesë ndodheshin autori, viktima, nëna dhe motra e tij, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët e 41-vjeçarit nuk ishin të pranishëm, raporton BW.

Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar të gjithë familjarët për të marrë dëshmitë e tyre. Hetimet zbuluan se fillimisht ishte raportuar se autori dhe viktima mund të kenë qenë nën efektin e alkoolit, por nga verifikimet rezultoi se 41-vjeçari nuk konsumonte pije alkoolike. Ndërkohë, sipas dëshmive, 74-vjeçari kishte konsumuar alkool dhe ishte treguar i dhunshëm në të kaluarën.

Motra e viktimës, e cila ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes, ka marrë lëndime dhe është trajtuar në spital. Pas kësaj, ajo nuk është kthyer më në banesë dhe nuk ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të vëllait të saj.

Hetimet për ngjarjen vijojnë nga autoritetet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e konfliktit.