Pezullimi i fondeve të USAID-it, Dlegacioni i BE-së në Shqipëri: Të vendosur të mbështesim reformën në drejtësi


Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pasi Administrata e Presidentit Donald Trump vendosi të pezullojë përkohësisht programet e ndihmës së suaj që jepeshin kryesisht nëpërmjet USAID-it.

Në reagim BE-ja thotë se do vijojë të japë mbështetjen e saj për reformën në drejtësi në Shqipëri.

Delegacioni thekson se ka mbështetur me mbi 50 milionë euro asistencë teknike këtë reformë dhe burime të tjera të rëndësishme parashikohen për të vijuar mbështetjen pa probleme.

Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.

BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.

Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.

Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.

Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.

SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë.”-thuhet në reagimin e Delegacionit.