Siguria kibernetike tek energjia, rregullorja e ERE: Operatorët që duhet të certifikohen


Operatorët e sektorit të energjisë që kanë infrastruktura kritike të informacionit do të duhet që të marrin certifikimet e nevojshme që lidhen me sigurinë kibernetike brenda një afati 18 mujor.

Në rregulloren e rishikuar për sigurinë kibernetike të infrastrukturave kritike në sektorin e energjisë elektrike janë bërë disa ndryshime duke përfshirë në këto infrastruktura edhe sektorin e gazit si dhe duke emërtuar specifikisht operatorët që kanë nevojë për certifikime.

Kështu teksa në disa nene janë shtuar togfjalëshat që lidhen me sektorin e gazit sa i takon detyrimet e operatorëve apo rregullat dhe masat që duhet të marrin të licencuarit në vijim bëhet edhe një qartësim për atë se çfarë janë infrastrukturat kritike.

“Infrastrukturat e rëndësishme të informacionit janë persona juridikë, publikë ose privatë, që administrojnë infrastrukturën e rëndësishme të informacionit dhe operojnë në sektorin e energjisë elektrike.

Këto përfshijnë: Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me Data Center Primary, Data Center Disaster Recovery, Data Center Business Continuity, rrjetin midis Data Center PR, DR dhe BC, si dhe rrjetin midis qendrës së të dhënave dhe pikave të komandimit; Termocentralin Vlorë sh.a me Sistemin DCS; dhe HEC Vlushe me Sistemin SCADA” thuhet në shpjegimin që i bëhet termit në rregullore.

Lidhur me certifikimet, në nenin 10 rregullorja përcakton saktësisht operatorët që duhet të marrin masa në funksion të sigurisë kibernetike.

“Operatorët e Infrastrukturave Kritike të Informacionit, përfshirë Kurum International sh.a, Dragobia Energy, Prell Energy sh.p.k, Power Elektrik Slabinje, Seka Hydropower, Devoll Hydropower sh.a dhe Trans Adriatic Pipeline (TAP), detyrohen të pajisen me certifikimin sipas standardit të sigurisë ISO 27001 brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve të rregullores.

Operatorët e Infrastrukturave të Rëndësishme të Informacionit, përfshirë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Termocentralin Vlorë sh.a dhe HEC Vlushe, detyrohen të pajisen me certifikimin sipas standardit të sigurisë ISO 27001 brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve të rregullores” thuhet në plotësimin që i është bërë rregullores./ N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor