“Tani e tutje sportet e grave do jenë vetëm për gratë” – Trump nënshkruan urdhrin


Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën që synon ndalimin e grave dhe vajzave transgjinore që të konkurrojnë në sportet e grave biologjike, duke i udhëzuar agjencitë të tërheqin fondet federale për çdo shkollë që kundërshton të respektojë urdhrin.

“Që tani e tutje, sportet e grave do jenë vetëm për gratë,” tha ai në dhomën lindore të Shtëpisë së Bardhë para se të nënshkruante urdhrin.

Urdhri, i titulluar “Bllokimi i burrave nga sportet e grave” dhe i nënshkruar në Ditën Kombëtare të Vajzave dhe Grave në Sport, synonte të përmbushte një premtim që Trump e kishte temë kryesore të fushatës së tij, gjatë së cilës shpesh denoncoi atletët transgjinorë.

Urdhri udhëzoi gjithashtu Departamentin e Shtetit që të shtyjë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar të bëjë ndryshime të ngjashme në nivel ndërkombëtar duke e bërë pranueshmërinë “të përcaktuar sipas gjinisë dhe jo sipas vetëidentitetit gjinor ose uljes së testosteronit”.

Administrata Trump po përdor Departamentin e Arsimit për të zbatuar politikën duke ndryshuar interpretimin e Titullit IX, ligji i vitit 1972 që ndalon diskriminimin seksual në programet që marrin fonde federale. Administrata Biden kishte nxjerrë një rregull vitin e kaluar që e bënte diskriminimin ose ngacmimin bazuar në orientimin seksual ose identitetin gjinor një shkelje të ligjit federal të të drejtave civile, por muajin e kaluar një gjykatës federal e hoqi atë rregullore.

Në një deklaratë pas urdhrit, zëvendëskëshilltarja e përgjithshme e Departamentit të Arsimit, Candice Jackson, pranoi thirrjen e presidentit për veprim, duke thënë se departamenti “do t’i jepte përparësi zbatimit të Titullit IX”.

“Presidenti pohoi se kjo administratë do t’i mbrojë atletet femra nga rreziku i konkurrencës dhe nga poshtërimi i ndarjes së hapësirave private me dikë të seksit të kundërt,” tha Jackson.

“Ky është një pozicion jashtëzakonisht i popullarizuar në publikun amerikan,” u tha gazetarëve Karoline Leavitt, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, duke cituar një sondazh nga The New York Times dhe Ipsos nga janari, në të cilin 67 përqind e të anketuarve demokratë kundërshtuan atletët transgjinorë që konkurrojnë në sportet e grave.

Disa shtete dhe grupe ligjore u zotuan menjëherë të kundërshtojnë urdhrin.

“Trump do ta bëjë këtë përsëri, përsëri, pa u ndalur,” tha në një deklaratë Prokurori i përgjithshëm i Connecticut, demokrati William Tong.

“Ai do të përpiqet të na tregojë se kemi dy zgjedhje, ose të shkaktojmë dëm të tmerrshëm në familjet e Connecticut-it ose të pranojmë pasojat e kërcënimeve të tij të paligjshme drakoniane. Duhet të kujtojmë se ekziston gjithmonë një mundësi e tretë, të nvgrihemi së bashku dhe të luftojmë.”

Rreth gjysma e shteteve amerikane tashmë i ndalojnë atletët transgjinorë të marrin pjesë në sportet shkollore. Në janar, disa ditë përpara betimit të Trump, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projektligj për të ndaluar gratë dhe vajzat transgjinore nga programet sportive për studentet femra në mbarë vendin. Projektligji përballet me perspektiva të pasigurta në Senat, ku shtatë demokratë do duhet të bashkohen me republikanët për ta çuar atë në një votim përfundimtar.

Organizatat jofitimprurëse dhe ligjvënësit konservatorë brohoritën urdhrin, duke lavdëruar njohjen e dy gjinive “të pandryshueshme” nga administrata Trump – mashkull dhe femër – dhe kundërshtimin nga ana e saj të çdo identiteti gjinor jashtë atij binar.