Presidenti i Sirisë Ahmed al-Sharaa dhe presidenti turk Tajip Erdogan kanë diskutuar një pakt të përbashkët mbrojtjeje në Ankara të martën, duke përfshirë krijimin e bazave ajrore turke në Sirinë qendrore dhe stërvitjen e ushtrinë së re të Sirisë, thanë katër burime të njohura me këtë çështje.
Anëtari i NATO-s, Turqia ka mbështetur prej kohësh opozitën e armatosur dhe politike të Sirisë në luftën kundër Bashar al-Assad, i cili u rrëzua nga pushteti në fund të dhjetorit në një ofensivë rrufe të udhëhequr nga forcat e Sharaa-s.
Ankaraja po pozicionohet për të luajtur një rol të madh në Sirinë e re, duke mbushur boshllëkun e lënë nga mbështetësi kryesor rajonal i Asadit, Irani, në një zgjerim të ndikimit turk që mund të nxisë rivalitet me shtetet arabe të Gjirit.
Burimet – një zyrtar sirian i sigurisë, dy burime të huaja të sigurisë me bazë në Damask dhe një zyrtar i lartë i inteligjencës rajonale – folën në kushte anonimiteti pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin me mediat për takimin.
Kjo është hera e parë që elementet e ndonjë marrëveshjeje strategjike të mbrojtjes nga udhëheqësit e rinj të Sirisë, duke përfshirë hollësi të bazave shtesë turke, dalin në dritë.
Pakti mund të shohë Turqinë të ndërtojë baza të reja ajrore në Siri, të përdorë hapësirën ajrore siriane për qëllime ushtarake dhe të marrë një rol udhëheqës në stërvitjen e trupave në ushtrinë e re të Sirisë, thanë burimet.
Udhëheqja e re e Sirisë ka shpërbërë ushtrinë dhe fraksionet e saj të ndryshme rebele dhe po punon për përfshirjen e tyre në një komandë të re ushtarake.
Baza ajrore turke në Siri
Zyrtari rajonal i inteligjencës, zyrtari sirian i sigurisë dhe një nga burimet e huaja të sigurisë me bazë në Damask thanë se bisedimet përfshinin ngritjen e dy bazave turke në rajonin e gjerë të shkretëtirës qendrore të Sirisë, të njohur si Badiyah.
Një zyrtar në presidencën e Sirisë i tha Reuters se Sharaa do diskutojë “stërvitjen e ushtrisë së re siriane nga Turqia, si dhe fushat e reja të vendosjes dhe bashkëpunimit” me Erdoganin, pa specifikuar vendndodhjet e bazave.
Presidenca turke dhe Ministria siriane e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment mbi këtë çështje.
Drejtori i Komunikimit i Presidencës turke Fahrettin Altun tha të hënën se Erdogan dhe Sharaa do diskutojnë zhvillimet e fundit në Siri dhe masat e mundshme të përbashkëta për të rindërtuar ekonominë e Sirisë dhe për të arritur stabilitetin dhe sigurinë.
Një zyrtar i Ministrisë turke të Mbrojtjes i njohur me bisedimet midis dy ministrive të mbrojtjes i tha Reuters se nuk kishte informacion mbi bazat turke në Siri dhe stërvitjen për trupat siriane si pjesë e një pakti të mundshëm të mbrojtjes.
Roli i mbrojtjes ajrore të Turqisë
Zyrtari i lartë i inteligjencës rajonale, zyrtari sirian i sigurisë dhe një nga burimet e huaja të sigurisë me bazë në Damask thanë se bazat në diskutim do lejojnë Turqinë të mbrojë hapësirën ajrore të Sirisë në rast të ndonjë sulmi të ardhshëm.
Mbështetësi tjetër kryesor i Asadit – Rusia – është gjithashtu në bisedime me administratën e re të Damaskut për fatin e dy bazave të saj ushtarake në Siri, një bazë detare në Tartous dhe një bazë ajrore pranë qytetit port të Latakias, tha Kremlini të hënën.
Në një intervistë në janar, ministri i Mbrojtjes i Sirisë, Murhaf Abu Qasra, i tha Reuters se udhëheqësit e rinj të vendit do përpiqen të ndërtojnë lidhje të forta në rajon, “dhe se nëpërmjet këtyre lidhjeve, ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë më mirë forcën tonë ushtarake”.
Nëse këto lidhje çojnë në një bashkëpunim “për armatimin, stërvitjen, mbrojtjen ajrore ose çështje të tjera – ne do e mirëpresim atë,” tha Abu Qasra, pa përmendur Turqinë.
Zyrtari rajonal i inteligjencës tha se vendndodhjet e mundshme të bazës ajrore ishin aeroporti ushtarak i Palmirës dhe baza T4 e ushtrisë siriane, të dyja në provincën e Homsit.
Mesazh për luftërët kurd
Zyrtari tha se Ankaraja ishte e prirur për të ngritur baza atje si një mesazh për luftëtarët kurdë në Sirinë verilindore, të njohur si Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG).
Ankaraja i sheh ato si një zgjatim i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një kryengritje kundër shtetit turk që nga viti 1984 dhe konsiderohet një grup terrorist si nga Turqia ashtu edhe nga SHBA-ja.
Turqia ka kërcënuar me një ofensivë ushtarake kundër YPG-së, por ka pushuar ndërsa bisedimet janë duke u zhvilluar për të trajtuar fatin e forcave kurde.
Zyrtari i Ministrisë turke të Mbrojtjes i tha Reuters se delegacionet ushtarake turke dhe siriane shkëmbyen mendime javën e kaluar mbi “çfarë mund të bëhet në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht në luftën e përbashkët kundër organizatave terroriste që përbëjnë një kërcënim si për Sirinë ashtu edhe për Turqinë”.
“Takimet tona do vijojnë në kuadër të nevojave që do shfaqen në periudhën e ardhshme”, shtoi zyrtari.
Ministri turk i Mbrojtjes Yasar Guler tha në dhjetor se Turqia ishte “e gatshme të ofrojë mbështetjen e nevojshme nëse administrata e re (siriane) e kërkon atë.
Ankaraja mund të diskutojë dhe të rivlerësojë çështjen e pranisë ushtarake të Turqisë në Siri me administratën e re siriane “kur të krijohen kushtet e nevojshme”, tha Guler në atë kohë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani