Prokuroria e Elbasanit përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq Donald Hoxhën, për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Roland Rexhepi, krim i ndodhur në vitin 2009.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria e Elbasanit përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin D.H. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të ish-efektivit të policisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin D.H., i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.833/3 të vitit 2009, prokuroria arriti në përfundimin se shtetasi në fjalë ka kryer veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/a dhe 25 i Kodit Penal ndaj viktimës R.R. ish-efektiv i policisë i vrarë në vitin 2009.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan vijon hetimet në lidhje me zbulimin dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në lidhje me këtë ngjarje.
ZBULIMI I VRASJES
Atentati mafioz ndaj ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia e Shtetit e konsideronte në atë kohë vrasjen e ish-efektivit një atentat të mirorganizuar dhe të planifikuar.
Duke qenë se autorët ishin të maskuar, çka identifikimi i tyre ishte i vështirë, ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë vetëm provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.
Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e autorëve të vrasjes, pavarësisht se dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.
Nga përputhja e profilit gjenetik i gjetur në një bisht cigareje në vendin e krimit në vitin 2009, Prokuroria ka shpallur në kërkim Florenc Shabanin, duke e akuzuar si bashkëpunëtor në vrasje.
VRASJA E ILIR REXHEPIT
Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit.
Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.
Edhe kjo vrasje mbeti enigmë për vite të tëra, derisa në qershor të këtij viti autoritetet shpallën në kërkim shtetasin MihalaliasMirgenToshi, ndaj të cilit gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Toshi është i dyshuari kryesor për krimin e ndodhur, ndërsa mbetet ende mister kush e porositi vrasjen.