Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, pas takimit në selinë blu, është prononcuar për gazetarët ku ka komentuar publikimin e sondazheve të para për zgjedhjet e 11 majit, të cilat e nxirrnin me pak mbështetje.
Ai e cilësoi sondazhin si “qesharak”, duke shtuar se nëse nuk do të ishte fuqia elektorale e Partisë së Lirisë dhe Ilir Metës, presidenti nuk do të ishte arrestuar.
Blushi theksoi se objektivi kryesor i Partisë së Lirisë është “rrëzimi dhe shembja e narkoshtetit”, duke siguruar se Ilir Meta, edhe nga qelia, do të udhëheqë betejën kundër regjimit.
“Unë nuk kam përmendur asnjë numër mandatesh. Së dyti, çdo forcë që garon në zgjedhje, hyn për të fituar. Është objektiv legjitim. Sa u përket sondazheve, besoj edhe ju keni qeshur me to, sepse po të mos ishte kjo fuqi elektorale e PL dhe Ilir Metës, ai sot nuk do të ishte i arrestuar pa fakte dhe pa prova dhe nuk do të ishte rrëmbyer në mënyrë banditeske.
Objektivi kryesor i PL-së është rrëzimi dhe shembja nga themelet të narkoshtetit.
Zoti Meta edhe nga qelia numër pesë do t’i prijë betejës dhe PL për rrëzimin e narkoregjimit. PL do t’i qëndrojë në bllok rrëzimit të narkoregjimit”, tha Blushi.