Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) u bëri thirrje të premten vendeve anëtare të ngrinin zërin kundër sanksioneve të vendosura nga Donald Trump, duke e cilësuar këtë masë si një përpjekje për të “dëmtuar punën e saj të pavarur dhe të paanshme gjyqësore”.
Shtëpia e Bardhë lëshoi një urdhër ekzekutiv të enjten, si përgjigje ndaj veprimeve që ajo i cilësoi “të paligjshme dhe të pabaza”, të cilat synonin Shtetet e Bashkuara dhe aleatin e saj të ngushtë, Izraelin. Urdhri i Trump iu referua urdhrit të arrestit të lëshuar nga ICC vitin e kaluar për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me akuzat për krime të luftës në Gaza.
Gjykata me seli në Hagë deklaroi se ajo “dënon” masën e vendosur. “Gjykata qëndron e fortë pranë personelit të saj dhe angazhohet të vazhdojë të ofrojë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në të gjithë botën”, tha gjykata në një deklaratë.
“Ne u bëjmë thirrje 125 shteteve palë, shoqërisë civile dhe të gjitha kombeve të botës që të qëndrojnë të bashkuar për drejtësinë dhe të drejtat themelore të njeriut”, shtohet në deklaratë.
Urdhri i Shtëpisë së Bardhë theksonte se SHBA do të imponojë “pasoja të prekshme dhe të rëndësishme” ndaj atyre që janë përgjegjës për “shkeljet” e ICC-së. Veprimet mund të përfshijnë bllokimin e pasurive dhe aseteve dhe ndalimin e zyrtarëve, punonjësve dhe të afërmve të ICC-së të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.
“Sanksionimi i GJNP-së kërcënon pavarësinë e Gjykatës dhe minon sistemin ndërkombëtar të drejtësisë penale në tërësi,” shkroi Antonio Costa, presidenti i Këshillit Evropian të liderëve të BE-së, në platformën e mediave sociale Bluesky.
Holanda, vendi pritës i gjykatës me seli në Hagë, gjithashtu shprehu keqardhjen për sanksionet, ashtu si edhe shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Puna e gjykatës është thelbësore në luftën kundër mosndëshkimit,” tha ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, në një postim në X.
Ndërkohë, kryeministri hungarez Viktor Orban, një aleat i fortë i Trump, tha se sanksionet tregojnë se mund të ketë ardhur koha për t’u larguar nga ICC.
“Është koha që Hungaria të rishikojë angazhimin e saj në një organizatë ndërkombëtare që është nën sanksionet e SHBA-së! Erëra të reja po fryjnë në politikën ndërkombëtare. Ne e quajmë atë tornado Trump,” tha ai në X.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar në Twitter ndaj vendimit të Trump për të vendosur sanksione kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).
“Gjykata Ndërkombëtare Penale garanton llogaridhënien për krimet ndërkombëtare dhe u jep një zë viktimave në mbarë botën. Ajo duhet të jetë e lirë të ndjekë luftën kundër pandëshkueshmërisë globale. Evropa do të mbështesë gjithmonë drejtësinë dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar”, tha von der Leyen.