Mbi 3000 viktima nga përplasja mes rebelëve dhe forcave qeveritare në Kongo


Gati 3,000 njerëz janë vrarë në qytetin Goma në Republikën Demokratike të Kongos, sipas Kombeve të Bashkuara, pasi qyteti ra në duart e rebelëve pas disa ditësh luftime të ashpra me ushtrinë kongoleze.

Vivian van de Perre, nënkryetare e misionit të OKB-së në RD Kongo, tha të mërkurën se “deri tani 2,000 trupa janë mbledhur nga rrugët e Gomës në ditët e fundit dhe 900 trupa mbeten në morgjet e spitaleve. Ne presim që ky numër të rritet,” u tha ajo gazetarëve në një videotelefonatë nga qyteti, i cili është shtëpia e rreth 2 milion njerëzve.

“Ka ende shumë trupa në dekompozim në zona të caktuara.”

Marrja e trupave vjen pasi koalicioni rebel, Alliance Fleuve Congo (AFC) – i cili përfshin grupin e armatosur M23 – njoftoi një armëpushim nga e marta “në përgjigje të krizës humanitare të shkaktuar nga regjimi i qeverisë së RD Kongos.

Qeveria të martën e përshkroi armëpushimin si “komunikim të rremë” dhe luftime të ashpra kanë vijuar të raportohen në provincën e Kivusë Jugore, tha OKB të mërkurën.

RD Kongo, një vend me më shumë se 100 milionë banorë, ka përjetuar dekada të tëra dhune të nxitura nga tensionet etnike dhe luftimet për qasjen në tokë dhe burime minerale, duke shkaktuar një nga krizat më të mëdha humanitare në botë.

RD Kongo, Shtetet e Bashkuara dhe ekspertët e OKB-së akuzojnë Ruandën fqinje për mbështetjen e  rebelëve të M23, që përbëhet kryesisht nga tutsi etnikë që u shkëputën nga ushtria kongoleze më shumë se një dekadë më parë.

Qeveria e Ruandës mohon pretendimin, por ka pranuar se ka trupa dhe sisteme raketore në Kongon lindore për të mbrojtur sigurinë e saj, sipas Associated Press. Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, i tha CNN të hënën se ai nuk e dinte nëse forcat ushtarake të Ruandës ishin në Kongo, por tha se vendi i tij do të bënte atë që është e nevojshme për të mbrojtur veten.

Që nga viti 2022, M23 – që pretendon se mbron interesat e komuniteteve pakicë, duke përfshirë Tutsit – ka zhvilluar një rebelim të ri kundër qeverisë kongoleze, duke pushtuar një hapësirë ​​të madhe në Kivu Veriore, që kufizohet me Ruandën dhe Ugandën.

Rajoni është shtëpia e mineraleve të rralla – duke përfshirë depozitat e mëdha të koltanit – që është thelbësor për prodhimin e telefonave dhe kompjuterëve.