Arabia Saudite kishte kaluar disa javë të favorshme, duke ndërhyrë shpejt për të përfituar nga mundësitë në një rajon që është riformatuar në mënyrë dramatike pas masakrës së Hamasit të 7 tetorit, dhe 15 muajve të luftës së Izraelit në Gaza dhe operacioneve ushtarake kundër Libanit. Më pas, presidenti amerikan Donald Trump u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë dhe hodhi pak kaos në koktejl.
Të dielën, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman mirëpriti presidentin e ri të përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në Riad. Tre muaj më parë, Riadi kishte pritur ish-presidentin Bashar al-Asad, i cili tani ndodhet në mërgim në Moskë. Arabia Saudite ishte riangazhuar pa dëshirë me Asadin pasi kishte mbështetur rebelimin kundër tij që nga viti 2011.
Rënia e Asadit ishte një pasojë e tërthortë e fushatës ushtarake të Izraelit, e cila dobësoi Iranin dhe përfaqësuesit e tij. Kur grupi rebel sirian Hayat Tahrir al-Sham zbriti nga Idlibi në Damask, diktatori nuk kishte askënd që të thërriste për ndihmë.
Aty ku të tjerët si Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë treguar ngurrim, Arabia Saudite ka nxituar të mbushë boshllëkun e lënë nga Irani dhe Hezbollahu. Ajo ka shmangur gabimin e bërë pas vitit 2003, kur shumica e vendeve arabe, të zemëruara me Uashingtonin pas pushtimit të SHBA-së, kundërshtuan të angazhohen plotësisht me Irakun e ri. Teherani mezi priti të shfrytëzonte rastin për të ndërhyrë.
Në Liban, Hezbollahu ka kapur për fyti vendin që kur mori pjesë në vrasjen e vitit 2005 të të mbrojturit të Arabisë Saudite, ish-kryeministrit Rafiq Hariri. Pas vitit 2017, Arabia Saudite u largua nga Libani. Por sulmi i fundit ushtarak i Izraelit e ka dobësuar rëndë Hezbollahun, duke i prerë kokat udhëheqjes së tij. Dy javë më parë, kryediplomati i Arabisë Saudite ishte në Bejrut për vizitën e parë saudite në këtë nivel në 15 vjet pasi mbretëria, Franca dhe aleatët e tjerë i bënë presion Libanit për të zgjedhur më në fund një president të ri.
Gjatë gjithë kësaj, Arabia Saudite ka arritur të mbajë në krah armikun e saj të gjatë, Iranin, falë afrimit Iran-Arabi Saudite në marsin e vitit 2023. Riadi, i etur për të shmangur më shumë luftëra, veçanërisht atë ku mund të jetë objektivi i raketave iraniane, mund të jetë lehtësuar nga deklaratat e fundit të Trump për Iranin.
Politika e presionit maksimal ndaj Teheranit mund të kthehet, por në fund të fundit, Trump dëshiron një marrëveshje. Sauditët ende do parapëlqenin ta shihnin armikun e tyre të neutralizuar ndërkohë që forcojnë mbrojtjen e tyre në një pakt me SHBA-në, si pjesë e përpjekjeve për të vendosur marrëdhënie normale diplomatike me Izraelin.
Tabela e madhe e shahut në Lindjen e Mesme ka një Gaza të shkatërruar, një të djathtë ekstreme izraelite të guximshme dhe një president amerikan që e sheh gjithçka si një marrëveshje të pasurive të paluajtshme, edhe kur ajo shkel ligjin ndërkombëtar. Ndërsa mundësia e paraqitur nga një Iran më i dobët në gjithë rajonin kërkon që Arabia Saudite të tregojë se është aty, kjo sfidë është e një përmasash të ndryshme.
Kur Trump sugjeroi javën e kaluar që Jordania dhe Egjipti të merrnin palestinezë nga Gaza duke spastruar rajonin , ministrat arabë i dërguan një letër Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, duke paralajmëruar kundër dëbimeve. Jordania tha se do e konsideronte atë si një deklaratë lufte. Më pas të martën, me Netanyahun në krah, Trump sugjeroi se SHBA mund ta kthejë Gazën në një rivierë të re.
Brenda pak orësh, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite lëshoi një deklaratë të formuluar duke e bërë të qartë se nuk është tërhiqur nga thirrja e saj për një shtet palestinez në kufijtë e vitit 1967. Këshilltari për sigurinë kombëtare të Trump, Mike Waltz, më vonë shpjegoi se qëllimi i propozimit ishte të ushtronte presion ndaj vendeve arabe që të dilnin me zgjidhjen e tyre për një pjesë toke të pajetueshme. Shtetet arabe kanë vënë në tavolinë disa nisma që nga viti 2002.
Vendi me levën më të rëndësishme është Arabia Saudite dhe princi i kurorës duhet të kujtojë se ai mban kartat kryesore të pazarit: Trump dëshiron që ai të investojë një trilion dollarë në Amerikë dhe të ulë çmimet e naftës.
A mund të arrijë mbretëria një pakt mbrojtës me Trump dhe një marrëveshje normalizimi me Izraelin, të cilin e ka akuzuar për gjenocid, duke përmbushur gjithashtu premtimin për një shtet palestinez?
Është një nga veprimet më të ndërlikuara që i është dashur të kryejë ndërsa ka të bëjë me një president të paparashikueshëm. Shpërblimi do të jetë i madh, rreziqet edhe më shumë, si për mbretërinë ashtu edhe për rajonin.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani