Frika është një mjet i fuqishëm për mbijetesë. Por ndonjëherë mund të jetë ee gabuar. Në një studim të botuar të enjten, shkencëtarët thanë se kanë identifikuar se si truri kapërcen një frikë instinktive, duke ofruar të dhëna nga të cilat mund të përfitojnë njerëzit që luftojnë me çrregullimet e lidhura me frikën, duke përfshirë fobitë, ankthin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik.
“Ne kemi zbuluar mekanizmin me anë të të cilit truri – përmes përvojës – mund të kuptojë se cilat rreziqe të mundshme instinktive nuk janë në të vërtetë rrezik,” tha në një intervistë Sara Mederos, një neuroshkencëtare në “Qendrën Sainsbury Ëellcome” të Kolegjit Universitar të Londrës, që udhëhoqi studimin e rishikuar shkencor.
Studiuesit në Britani i ekspozuan minjtë ndaj skenarëve të padëmshëm të përsëritur që imitonin rrezikun dhe vëzhguan se si ata përfundimisht mësuan të linin mënjanë frikën e tyre – duke hedhur dritë mbi mënyrën se si truri i gjitarëve mëson të ruajë qetësinë dhe të sillet përballë një kërcënimi të pabazë.
Për shkak se minjtë dhe njerëzit ndajnë rrugë nervore analoge, thanë autorët e studimit, gjetjet e tyre mund t’u tregojnë studiuesve mjekësorë se ku në trurin e njeriut duhet të synohen trajtimet për çrregullimet e lidhura me frikën.
Studimi
Në eksperimentin laboratorik, shkencëtarët hetuan se si rreth 100 minj reaguan ndaj një kërcënimi të përsëritur vizual që doli i padëmshëm me kalimin e kohës – në këtë rast, një hije që zgjerohej lart që imitonte zhurmën e një zogu grabitqar.
Fillimisht, minjtë vrapuan për të gjetur një strehë kur u shfaq hija ogurzezë, ndërsa reagimi i tyre klasik i frikës instiktive filloi. Por pas 30 deri në 50 sulmesh të simuluara, shkencëtarët vunë re diçka: minjtë kuptuan se kërcënimi ishte i padëmshëm dhe mësuan të shtypnin instinktin e tyre. Brejtësit vijuan të kërkonin ushqim dhe të eksploronin si zakonisht, pavarësisht nga hija.
Duke futur sonda silikoni në trurin e minjve, autorët e studimit ishin në gjendje të gjurmonin mekanizmat nervorë që u ndezën ndërsa gjitarët mësuan të bllokonin frikën e tyre.
Shkenca
Studimi identifikoi rishtazi se ku i ruan truri kujtimet për të shpërfillur frikën instinktive: një zonë e paeksploruar më parë e njohur si bërthama geniculate ventrolateral (vLGN).
Edhe pse dihej më parë se kjo zonë ishte e përfshirë në procesin e mosmësimit, nuk ishte e qartë deri më tani se këtu ruheshin kujtimet.
Zona e trurit ndodhet midis neokorteksit, i cili zbulon një kërcënim, dhe trungut të trurit, i cili aktivizon përgjigjen instiktive të trupit. Deri tani, shkencëtarët që studionin të mësuarit dhe kujtesën te minjtë e vendosnin pjesën më të madhe të fokusit të tyre diku tjetër në tru, veçanërisht në korteksin vizual, tha Mederos. Studimi zbuloi se ndërsa korteksi vizual ishte vendimtar për të mësuar për të shtypur frikën instinktive, ishte vLGN ai që ishte vendimtar për ruajtjen e kujtesës.
Si mund të përfitojnë njerëzit nga kjo?
Duke kuptuar strukturat në tru që aktivizohen përmes procesit të mosmësimit, tha Mederos, hulumtimi përfundimisht mund të jetë i dobishëm për ata që kanë luftuar për të kapërcyer çrregullimet e lidhura me frikën.
Studiuesit mjekësorë mund të synojnë të njëjtat qarqe në trurin e njeriut përmes ndërhyrjeve terapeutike të tilla si ilaçet, stimulimi i thellë i trurit ose ultratingujt funksionalë, tha ajo, megjithëse vuri në dukje se nevojiten kërkime në të ardhmen.
“Synimi i zonave të trurit si bërthama geniculate ventrolaterale mund të hapë rrugë të reja për të trajtuar këto çrregullime,” tha ajo. Studimi gjithashtu vuri në dukje se si molekula specifike, të ndërmjetësuara nga neurotransmetuesit, lëshohen në këtë zonë të trurit dhe lejojnë që frika të mos mësohet.
“Barna të veçanta të synuara posaçërisht për bërthamën genikulare ventrolaterale mund të jenë qasje farmakologjike që do ndihmonin në trajtimin e ankthit ose PTSD,” tha ajo.