Banka Qendrore Evropiane do hyjë në një fazë të re të paparashikueshmërisë pasi afatet e 7 prej 26 vendosësve stë normave të interesit përfundojnë deri në dhjetor, duke shënuar ndryshimin më të madh të personelit që nga viti 2019.
Ato përfshijnë anëtarin më jetëgjatë të panelit, Klaas Knot i Holandës, së bashku me disa ish-ministra të Financave që ishin veteranë të krizës së borxhit të Evropës dhe ekspertiza e të cilëve mund të mungojë ndërsa buxhetet janë tendosur sërish dhe një luftë tregtare e udhëhequr nga SHBA-ja shpaloset në horizont.
Pas rritjes më të keqe të inflacionit në eurozonë, edhe disa nga ata që kanë sukses të riemërohen do përballen me sprova rraskapitëse. Martins Kazaks i Letonisë, i cili u konfirmua të enjten edhe për pesë vite të tjera, ishte në harresë që nga përfundimi i mandatit të tij të parë në dhjetor, me politikanët në vendin baltik që përpiqeshin – por në fund dështuan – ta zëvendësonin atë.
Ndërsa një ndryshim rrënjësor i kursit nuk ka gjasa në Frankfurt, rezultati është se vëzhguesit e BQE-së do kenë një detyrë më të vështirë dhe ekuilibri midis “skifterëve dhe pëllumbave” mund të ndryshojë. Ky nuk është aspak një çast i përshtatshëm për BQE-në, pasi tarifat e mundshme nga Presidenti Donald Trump për bllokun tregtar 20-vendesh kërcënojnë të zhdukin pritshmëritë tashmë të pakta të rritjes ekonomike.
“Këto ndryshime vijnë në kohën më të keqe të mundshme pasi BQE-ja do përballet me vendime të vështira këtë vit. Perspektiva ekonomike është përkeqësuar dhe mund të përkeqësohet edhe më shumë me politikat e pritura të Trump, ndërsa në të njëjtën kohë inflacioni është ende shumë i lartë”, tha Carsten Brzeski, kreu i kërkimit makro në ING.
“Një BQE me rreth shtatë anëtarë fillestarë mund të jetë më e prirur për të bërë gabime.”
Grupi më i fundit i të dhënave nga eurozona përmbledh sfidën e BQE-së: Produkti i Brendshëm Bruto papritur dështoi të rritet në fund të 2024-ës, ndërsa inflacioni i gaboi analistët, duke u rritur në janar.
Zyrtarët mbeten të sigurt se çmimet e konsumit do bien në përputhje me objektivin prej 2% gjatë muajve të ardhshëm dhe planifikojnë të vijojnë me lehtësimin monetar që tashmë e ka sjellë normën e depozitave në 2.75% nga 4% në mesin e 2024.
“Kur anëtarët e rinj i bashkohen Këshillit Drejtues, nuk është menjëherë e qartë se çfarë përfaqësojnë ata dhe ata shpesh ngurrojnë të japin sinjale në fillim,” tha Jari Stehn, kryeekonomist evropian në Goldman Sachs.
“Më pak udhëzime e bëjnë më sfidues parashikimin e saktë.”
Jose Luis Escriva i Spanjës është një rast i tillë. Pasi mori rolin e tij në shtator, ai u përmbajt nga të bërit deklarata publike për disa kohë, megjithë njohuritë e tij të gjera të politikës monetare si economist, si në Bankën Qendrore të Spanjës ashtu edhe në BQE.
Shumë analistë argumentojnë se trajektorja e tanishme në rënie për kostot e huamarrjes është e qartë dhe pavarësisht qarkullimit, vijimësia në BQE është e garantuar, veçanërisht pasi asnjë nga ndryshimet e personelit nuk do prekë Bordin e fuqishëm Ekzekutiv.
“BQE-ja është e mbrojtur mirë përsa i përket vendimmarrjes dhe pavarësisë,” tha Anatoli Annenkov, ekonomist në Societe Generale.
“Në këtë kuptim, institucioni është më i rëndësishëm se personi.”
Megjithatë, pas uljes së tarifave “autopilot” në janar dhe mars, ekonomisti i lartë i HSBC Fabio Balboni mendon se “gjërat mund të nxehen në pranverë” ndërsa “skifterët dhe pëllumbat” nxitojnë për një pozicion.
Një debat që duket se do shtohet është mbi të ashtuquajturën normë asnjanëse, e cila as nuk kufizon dhe as nuk nxit rritjen ekonomike. Pikëpamjet ndryshojnë se ku është ky nivel teorik, me politikëbërësit gjithashtu në mosmarrëveshje nëse duhet të shkojnë poshtë tij.
Kjo i bën të rëndësishme animet e mundshme në peshore, me katër nga shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues – duke përfshirë Knotin dhe Robert Holzmann të Austrisë – që janë të prirur të anojnë ndaj skifterëve. Ky i fundit do zëvendësohet nga Ministri i Ekonomisë, Martin Kocher, i cili rrallëherë komenton politikën monetare, përtej lavdërimit të përpjekjeve të BQE-së për të luftuar inflacionin.
Rishikimi gjithashtu mund të ngadalësojë reagimet e BQE-së, nëse Trump do çonte përpara kërcënimet e tij tregtare kundër Bashkimit Evropian. Të tjerët që mund të shkojnë drejt largimit janë Mario Centeno i Portugalisë, një ish-president i Eurogrupit dhe Olli Rehn i Finlandës, i cili ishte Komisioner për bllokun gjatë krizës së tij të borxhit sovran. Ky i fundit, megjithatë, duket se ka perspektiva më të mira për të qëndruar.
Ana e kundërt e këtij argumenti, megjithatë, është se shumë politikanë po i bashkohen Këshillit Drejtues, duke testuar potencialisht pavarësinë e BQE. Presidentja Christine Lagarde theksoi kohët e fundit rëndësinë e të qenit në gjendje të veprohet pa ndërhyrje politike kur sfondi ekonomik është i paqëndrueshëm.
Është “e detyrueshme që bankat qendrore të kenë pavarësinë për të përmbushur plotësisht mandatet e tyre të stabilitetit të çmimeve”, tha ajo.
Konsensusi është se BQE-ja do marrë me hapa të mëdhenj ndryshimet e stafit të këtij viti, me tregjet që janë ende shumë të përqendruara te të dhënat dhe jo te personeli, ndërsa ata kalibrojnë bastet me normat e interesit.
Por ndryshimi mund të ofrojë një shije të një tronditjeje më kuptimplote që do vijë në vitet 2026 dhe 2027: ajo periudhë do shohë jo vetëm përfundimin e mandatit të Lagarde, por edhe atë të zëvendëspresidentit Luis de Guindos, kryeekonomistit Philip Lane dhe anëtares së Bordit Ekzekutiv Isabel Schnabel.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani