Stafi global i USAID-it do shkurtohet nga 10 mijë në vetëm 294 punonjës


Administrata e Presidentit Trump planifikon të mbajë më pak se 300 punonjës në USAID nga numri i përgjithshëm i agjencisë në mbarë botën prej më shumë se 10.000 punonjësish, thanë katër burime për Reuters të enjten.

Agjencia kryesore e ndihmës humanitare e Uashingtonit ka qenë një objektiv i një programi riorganizimi qeveritar të udhëhequr nga biznesmeni Elon Musk, një aleat i ngushtë i Trump, që kur presidenti republikan mori detyrën më 20 janar.

Katër burimet e njohura me planin thanë se vetëm 294 punonjës në agjenci do lejohen të mbajnë vendet e tyre të punës, duke përfshirë vetëm 12 në zyrën e Afrikës dhe 8 në zyrën e Azisë.

“Kjo është e papranueshme.” – tha J. Brian Atwood, i cili shërbeu si kreu i USAID-it për më shumë se gjashtë vjet, duke shtuar se ndërprerja masive e personelit do zhdukë efektivisht agjencinë.

“Shumë njerëz nuk do mbijetojnë.” – tha Atwood, që është tani një bashkëpunëtor i rëndësishëm në “Institutin Watson” të Universitetit Brown.

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Trump e Musk kanë akuzuar USAID-in si agjenci kriminale, dhjetëra punonjës të USAID-it janë lënë në pushim administrativ, qindra kontraktorë të brendshëm janë pushuar nga puna dhe programet në mbarë botën janë bllokuar.

Administrata njoftoi të martën se do linte në pushim të gjithë punonjësit e USAID-it të punësuar drejtpërdrejt në mbarë botën dhe do kthente në SHBA mijëra personel që punonin jashtë shtetit.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka thënë se administrata po identifikonte dhe përcaktonte programe që nuk do prekeshin nga urdhrat gjithëpërfshirës të ndalimit të punës, të cilat kanë kërcënuar përpjekjet në mbarë globin. Partnerët zbatues të USAID-it po përballen me probleme financiare për shkak të urdhrave për ndalimin e punës nga Departamenti i Shtetit.