Trump kërkon mbylljen e menjëhershme të USAID


Nga Karoun Demirjan

Presidenti Trump të premten bëri thirrje drejtpërdrejt për mbylljen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), vetëm pak orë para se shumica e stafit të saj të pritej të pezullohej me pagesë ose të pushohej nga puna—shenja më e fundit se administrata e tij synon të shpërbëjë ofruesin kryesor të ndihmës humanitare dhe zhvillimore të qeverisë amerikane.

“MBYLLE!” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke akuzuar agjencinë për korrupsion dhe mashtrim të përhapur, pa dhënë detaje.

Më herët ai e kishte quajtur USAID-in një institucion të drejtuar nga “radikalë të çmendur.”

Kërkesa e Trump për mbylljen e agjencisë erdhi ndërsa shumica dërrmuese e punonjësve me kontratë të drejtpërdrejtë pritej të vendoseshin në leje administrative pa afat, ndërsa kontraktorët do të largoheshin.

Një njoftim i publikuar në faqen zyrtare të USAID të martën i informonte oficerët e shërbimit të jashtëm se agjencia do të mbulonte shpenzimet e kthimit të tyre në SHBA brenda 30 ditëve, me mundësi shtyrjeje rast pas rasti.

Por, gjatë natës, kjo udhëzim u ndryshua, duke informuar punonjësit se ata kishin mundësinë të qëndronin jashtë vendit më gjatë, por me shpenzimet e tyre.

Një seksion i ri “Pyetje të shpeshta”, me vetëm një hyrje, iu shtua njoftimit në faqen e USAID, ku sqarohej se oficerët e shërbimit të jashtëm mund të mbeteshin jashtë vendit nëse ishin të gatshëm të paguanin vetë për kthimin e tyre.

Nuk u specifikua nëse ata që do të qëndronin jashtë vendit në leje administrative do të vazhdonin të përfitonin subvencione për kostot e jetesës.

Udhëzimi fillestar shkaktoi panik, pasi oficerët e shërbimit të jashtëm u shqetësuan se si do të mund të shpërngulnin veten dhe familjet e tyre brenda pak javësh. Por sqarimi se ata mund të qëndronin jashtë vendit, për sa kohë që paguanin vetë kthimin, ofroi pak ngushëllim për punonjësit e ndihmës, të cilët përballeshin me humbjen e punës.

Vetëm një pjesë e vogël e zyrtarëve të USAID morën njoftim këtë javë se ishin cilësuar si “personel thelbësor.”

Ky është njoftimi juaj zyrtar se pritet të vazhdoni punën, me efekt të menjëhershëm dhe deri në një njoftim tjetër,” thuhej në një email dërguar këtyre punonjësve, sipas një kopjeje të shqyrtuar nga The New York Times.

Nuk ishte e qartë menjëherë sa punonjës bënin pjesë në këtë kategori.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The New York Times