Trump vë sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale


Presidenti Donald Trump ka autorizar sanksione ekonomike dhe kufizime udhëtimi për punonjësit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale që po hetojnë shtetas amerikanë ose ata të vendeve aleate, si Izraeli. Ky vendim përsërit masat që ai mori gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Vendimi është marrë në kohën e vizitës në Uashington të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) së bashku me ish-ministrin e tij të mbrojtjes dhe një udhëheqës të Hamas në lidhje me luftën në Rripin e Gazës. Ende nuk janë zbuluar emrat e personave të sanksionuar.

Në vitin 2020, gjatë administratës së parë të Presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj prokurores së atëhershme të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Fatou Bensouda, dhe një prej ndihmësve të saj kryesorë, në lidhje me hetimet ndaj trupave amerikane për krime lufte të dyshuara në Afganistan.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) nuk ka dhënë ende një përgjigje në lidhje me kërkesën për koment. Sanksionet përfshijnë ngrirjen e çdo pasurie në Shtetet e Bashkuara të individëve të përfshirë në listën e sanksioneve, si dhe ndalimin e tyre dhe familjeve të tyre që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Gjykata e përhershme me 125 anëtarë mund të ndjekë penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krimin e agresionit kundër territorit të vendeve anëtare ose nga shtetasit e tyre. Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe Izraeli nuk janë anëtare të kësaj gjykate.

Presidenti Trump e nënshkroi urdhrin ekzekutiv pasi senatorët demokratë bllokuan javën e kaluar një përpjekje republikane për të miratuar një legjislacion që përcaktonte sanksione ndaj gjykatës.

Gjykata ka marrë masa për të mbrojtur punonjësit e saj nga sanksionet e mundshme amerikane, duke ua paguar rrogat tre muaj paradhënie, ndërsa pritet të përballet me kufizime financiare që mund të dëmtojnë funksionimin gjykatës për krimet e luftës, thanë muajin e kaluar burimet për Reuters.

Vitin e kaluar në dhjetor, presidentja e gjykatës, gjyqtarja Tomoko Akane, paralajmëroi se sanksionet do të “dëmtonin me shpejtësi operacionet për të gjitha situatat dhe çështjet, si dhe do të rrezikonin vetë ekzistencën e saj”.

Rusia gjithashtu ka vënë në shënjestër gjykatën. Në vitin 2023, GJNP-ja lëshoi një urdhër arresti për presidentin Vladimir Putin, duke e akuzuar për krim lufte lidhur me dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Rusia i ka ndaluar hyrjen kryeprokurorit të GJNP-së, Karim Khan dhe e ka vendosur atë dhe dy gjyqtarë të tjerë në listën e personave të kërkuar.