Desorosizim të Shqipërisë pas 11 majit premtoi kreu i PD-së Berisha.
Teksa iu drejtua mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ai lëshoi akuza të forta ndaj George Sorosit dhe kryeministrit Rama ndërsa nënvizoi se pas lëvizjeve të fundit të administratës Trump kundër USAID-it dhe OJQ-ve të Sorosit, shqiptarët janë ata që përfitojnë më së shumti.
“Presidenti Trump i ka prerë kokën gjarprit Soros në Uashington dhe ky është një zhvillim që ndihmon shqiptarët më shumë se këdo tjetër. Shqipëria u shndërrua në kopshtin eksperimental të Sorosit. Ne kemi një program të qartë për të rikthyer vlerat familjare, interesin kombëtar dhe besimin në Zotin. Do desorosizojmë vendin. Vendosjen e familjes në pidestal, do vendosim interesat e familjes dhe kombit në majë. Do arrijmë fitoren e thellë më 11 maj. PD po bën gjithçka për frontin opozitar. Ftoj të gjitha partitë opozitare të bashkohen me ne kundër narkodiktaturës. Ftoj socialistët e ndershëm. Bashkohuni me ne se programi ynë është për të gjithë shqiptarët. Ftoj elektoratin grit të na bashkohet e të na mbështesë. Ne po bëjmë gjithçka për të krijuar një front të gjerë opozitar. Programi ynë është për të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe është program për gjithë shqiptarët.” – tha Berisha.