Kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku tha në tubimin përmbyllës të fushatës para zgjedhjeve të nesërme se e djathta në Kosovë po merr formë.
Ai theksoi se LDK-ja nuk është vetëm një lidhje e fortë politike po shtëpi e njerëzve që ëndërrojnë një Kosovë më të fortë, më të përparuar e mirëqenie të lartë.
“Ky është një manifestim i popullit dhe kërkesë për ndryshim. Puna e vërtetë nis nesër në ora 7 të mëngjesit kur këto angazhime të muajit të kaluar duhet të përkthehen në mbështetje në votë demokratike. Jemi mbledhur jo vetëm si pjesëtarë të një Lidhje të fortë politike, por si një shtëpi e bashkuar e njerëzve që ëndërrojnë për Republikën tonë, të ardhmen tonë, të ardhmen e një vendi që duhet të qëndrojë krenar, të qëndroj i fortë dhe prijatar. Sonte shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Republikën tonë. Sonte shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë. Sonte shënojmë kryengritjen e djathtë kombëtare, si thirrje monumentale e populli të Kosovës”, tha Abdixhiku, shkruan Klankosova.
Ai shtoi se LDK-ja është e bindur në fitore dhe se ndryshimi po vjen ndërsa theksoi se e ardhmja, dinjiteti, mundësia e përparimi do përcaktohen nga puna e meritat.
“Duke iu parë kaq shumë, kaq të zjarrtë, them me plot bindje se po shkojmë për fitore. Fitore dhe asgjë më pak se kaq. Ndryshimi dhe fitorja tashmë janë mes nesh, ju, populli i Kosovës jeni ndryshimi, ju populli i djathtë i Kosovës na bëni fitoren. U bëmë një shpejt, u bëmë bashkë sikur dikur, sikur kishit kërkuar gjithëherë. LDK-në e kërkuar e gjetët, popullin e kërkuar, e gjetëm. Ato na vijnë si kushtrim edhe i prindërve të sotëm që përpiqen që të rrisin me mund e djersë fëmijët e tyre në Kosovën e të parëve të tyre, ku përpiqen të ua ndërtojnë një të ardhme ku dinjiteti, mundësia dhe përparimi nuk përcaktohen nga tallja, por nga vetë puna dhe vetë shpresa.” – shtoi Abdixhiku.