“Le të bëjmë marrëveshje” – Zelensky i ofron Trump-it mineralet e rralla në këmbim të sigurisë


Presidenti ukrainas Zelensky shqyrtoi një hartë dikur sekrete të depozitave të mëdha të mineraleve të rralla gjatë një interviste me Reuters të premten, pjesë e një shtytjeje për të joshur prirjen e presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje që do i jepte fund luftës.

Presidenti amerikan, administrata e të cilit po bën presion për një fund të shpejtë të luftës së Ukrainës me Rusinë, tha të hënën se donte që Ukraina të furnizonte SHBA-në me minerale të rralla në këmbim të mbështetjes financiare për përpjekjet e saj të luftës.

“Nëse po flasim për një marrëveshje, atëherë le të bëjmë një marrëveshje, ne e duam këtë gjë.” – tha Zelensky, duke theksuar nevojën e Ukrainës për garanci sigurie nga aleatët e saj si pjesë të çdo zgjidhjeje.

Ukraina e hodhi idenë e dhënies së mineraleve të saj të rralla ndaj investitorëve nga vendet aleate vjeshtën e kaluar, pasi paraqiti një “plan fitoreje” që kërkonte ta vendoste atë në pozicionin më të fortë për bisedime dhe do e detyronte Moskën të ulej në tryezën e bisedimeve.

Zelensky tha se më pak se 20% e burimeve minerale të Ukrainës, duke përfshirë rreth gjysmën e depozitave të saj të mineraleve tejet të rralla, ishin nën pushtimin rus.

Mineralet e rralla janë të rëndësishme në prodhimin e magneteve me performancë të lartë, motorëve elektrikë dhe mallrave elektronike. Zelensky tha se Moska mund t’i hapë ato burime për aleatët e saj Korenë e Veriut dhe Iranin, dy armiq të betuar të SHBA-së.

“Ne duhet të ndalojmë Putinin dhe të mbrojmë atë që kemi, një rajon shumë të pasur si Dnipro në Ukrainën qendrore.” – tha ai.

Trupat ruse kanë fituar terren në lindje prej muajsh, duke hedhur burime të mëdha ushtarake në një ofensivë të pandërprerë, ndërkohë që ushtria shumë më e vogël e Kievit përballet me mungesën e ushtarëve dhe shqetësohet për furnizimet e ardhshme të armëve nga jashtë.

Zelensky shpalosi një hartë në një tavolinë në zyrën e presidentit në Kiev, duke treguar depozita të shumta minerare, përfshirë një rrip të gjerë toke në lindje që sipas hartës përmban minerale të rralla. Rreth gjysma e tij dukej se ishte në anën e Rusisë në vijën e tanishme të frontit.

Ai tha se Ukraina kishte rezervat më të mëdha të titanit në Evropë, thelbësore për industrinë e aviacionit dhe hapësirës, ​​dhe uraniumit, të përdorur për energjinë bërthamore dhe armët.

Shumë nga depozitat e titanit ndodhen në Ukrainën veriperëndimore, larg luftimeve.

Ukraina ka rikthyer me shpejtësi qasjen e saj të politikës së jashtme për t’u përafruar me botëkuptimin transaksional të vendosur nga kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë, aleati më i rëndësishëm i Ukrainës.

Por Zelensky theksoi se Kievi nuk po propozonte “dhënien” e burimeve, por po ofronte një partneritet të ndërsjellë të dobishëm për t’i zhvilluar ato së bashku.

“Amerikanët ndihmuan më së shumti, dhe për këtë arsye amerikanët duhet të fitojnë më shumë. Dhe ata duhet ta kenë këtë prioritet, dhe do ta kenë. Unë gjithashtu do të doja të flisja për këtë me Presidentin Trump.”

Ai tha se Rusia e dinte në hollësi se ku ishin burimet jetike të Ukrainës nga sondazhet gjeologjike të epokës sovjetike që ishin kthyer në Moskë kur Kievi fitoi pavarësinë në 1991.

Përveç kësaj, Zelensky tha se Kievi dhe Shtëpia e Bardhë po diskutonin idenë e përdorimit të depozitave të mëdha të gazit nëntokësor të Ukrainës për të ruajtur gazin natyror të lëngshëm të SHBA-së.

“Unë e di që administrata Trump është shumë e interesuar për të. Ne jemi gati të kemi kontrata për furnizimet me LNG në Ukrainë. Dhe sigurisht, ne do jemi një qendër për gjithë Evropën.” – tha ai.

Zelensky do takim me Trump-in para bisedimeve SHBA-Rusi

Intervista vjen disa ditë përpara Konferencës së Sigurisë në Mynih më 14-16 shkurt, ku zyrtarë nga dhjetëra vende perëndimore do bashkohen në një çast të paparashikueshëm në luftën gati trevjeçare.

Zelensky tha se kishte në plan të merrte pjesë në forum, ku pritet të jetë gjithashtu edhe Keith Kellogg, i dërguari special i Trump për Rusinë dhe Ukrainën.

Udhëheqësi ukrainas tha se ishte thelbësore që ai të takonte Trump personalisht përpara se presidenti i SHBA-së të takohej me presidentin rus Putin, “përndryshe do duket si një dialog që ka të bëjë me Ukrainën ndërkohë qëajo nuk merr pjesë”.

Trump tha të premten se ai priste të fliste me Zelensky-n javën e ardhshme. Zelensky tha se përparësia e tij do ishte diskutimi rreth nevojës së Ukrainës për garanci sigurie si pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme, për të parandaluar Rusinë të nisë një pushtim tjetër në të ardhmen.

Megjithatë, në përgjithësi, është jetike që Perëndimi të përcaktonte një strategji të qartë përpara se të hynte në bisedime me Moskën.

Ai tha se tashmë kishte kontakte të rregullta midis ekipit të tij dhe Kellogg dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit Trump, Michael Ëaltz.

“Çdo ditë kemi kontakte, flasim për gjëra të përgjithshme, por specifikat do vijnë pak më vonë”, tha ai.

Shtytja e paqes e Trump vjen pasi forcat ruse përparojnë dhe kërcënojnë qendrën kryesore logjistike të Ukrainës, Pokrovsk.

Në fushën e betejës, Zelensky konfirmoi për herë të parë se trupat e tij kishin nisur një ofensivë të re të enjten, duke përparuar 2.5 km më tej në rajonin Kursk të Rusisë.

Rusia kishte raportuar një sulm ukrainas në zonë atë ditë, por tha se ishte zmbrapsur.

Zelensky tha se mijëra trupa të Koresë së Veriut që luftonin në anën e Rusisë tani ishin kthyer në luftime aktive kundër forcave të Kievit në Kursk pas një pushimi disajavor.

Javën e ardhshme, qeveria synon të nisë kontrata fitimprurëse rekrutimi për të joshur të rinjtë e moshës 18-24 vjeç – nën moshën e ushtrisë – në forcat e armatosura për të ndihmuar në lehtësimin e mungesës së fuqisë punëtore. Zelensky nuk pranoi të thoshte se sa burra pritej të regjistroheshin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani