Rama flet për zgjedhjet e Kosovës: Nuk kam preferencë


Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij dy ditore në Madrid, ka dhënë një intervistë për gazetën “El Mundo”, ku ka komentuar zgjedhjet në Kosovë.

Rama tha se nuk ka asnjë preferencë për fituesin e zgjedhjeve, pasi ka një marrëdhënie të mirë me të gjithë kandidatët.

Ai theksoi se Kosova është një vend demokratik dhe dinamik, që lufton me pasion për të ardhmen e saj, duke shtuar se si mik i Kosovës, ai e respekton çdo rezultat zgjedhor dhe i uron fat të mirë.

“Kosova është një vend demokratik, i gjallë dhe i larmishëm. Dhe, si të gjitha vendet e Ballkanit, lufton me gjithë pasion dhe shumë zhurmë, por kjo është në rregull. I uroj për mirë, por nuk kam asnjë preferencë për rezultatet e zgjedhjeve. Unë jam një mik dhe i respektoj të gjithë”.

Teksa u ndal te emigrantët dhe se çfarë do të ndodhë me tej me marrëveshjen me Italinë, Rama i bëri thirrje Evropës që të zbatojë një politikë të përbashkët migracioni, të mbrojë kontrollin e kufijve, por edhe të jetë e “hapur” ndaj imigracionit legal.

Për politikën ndërkombëtare të Trump dhe rreth asaj çka po ndodh në Gaza, Rama dha shkurtimisht këtë përgjigje.

“Nuk kam asnjë koment për këtë. Mendoj se plani duhet të qartësohet, të kuptohet dhe të harmonizohet me të gjithë aktorët e tjerë. Është ende herët”.

I ndalur po te Trump me vendimin për pezullimin e fondeve nga USAID ku preket edhe vendi ynë, Rama siguroi se nuk do të ketë asnjë problem me afganët që jetojnë në Shqipëri.

“Nuk do të ketë asnjë problem me refugjatët afganë që jetojnë në Shqipëri. Nëse duan të qëndrojnë në vendin tonë, mund ta bëjnë këtë , nuk mund të kthehen në vendin e tyre dhe të ndalojnë dhunën. Këto nuk janë shifra të mëdha për ne, janë vetëm disa qindra njerëz”