Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë kanë nisur votimin për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Votimi ka filluar sot në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në Evropë, ndërsa në SHBA dhe Kanada votimi nis në orën 13:00, sipas kohës lokale. Votimi zhvillohet në 43 vendvotime të shpërndara në 16 ambasada dhe 14 konsullata në 19 shtete.
Për këto zgjedhje janë regjistruar 20.324 votues nga diaspora. Përveç votimit fizik, mërgata ka pasur mundësinë të votojë edhe përmes postës nga 9 janari deri më 8 shkurt. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, ndërsa 84.525 prej tyre kanë zgjedhur votimin përmes postës.
Kosovarët do të zgjedhin 120 deputetë të Kuvendit, ku përbërja e re parlamentare do të përcaktojë Qeverinë e re. Zgjedhjet e 9 shkurtit janë të parat të rregullta pas shpalljes së pavarësisë në 2008.