Përplasen tifozët në derbin Partizani-Tirana, lëndohen disa efektivë policie


Nuk kanë munguar incidentet para derbit të kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës.

Përplasja e  tifozëve ka sjellë edhe lëndimin e disa efektivëve të policisë, të cilët janë dërguar në spitalin e Traumës, sipas Balkanweb.

Madje, mësohet se,  një prej efektivëve ka pësuar dëmtime të rënda.

Kujtojmë se në momentin e futjes së tifozëve bardheblu, një situatë aspak normale u krijua në tribunat ku qëndronin grupet ultras të dy tifozerive, teksa u desh ndërhyrja e forcave “Shqiponja”, për të shmangur një përleshje masive.

Në këtë moment u krijua një hapësirë e madhe mes dy tifozerive nga forcat e policisë, për të shmangur gjuajtjet me flakadanë dhe sende të forta.

Situata e tensionuar zgjati për afro 5 minuta, teksa më pas gjithçka u mor nën kontroll nga policia.