Trump i kthen reston administratës Biden, heq aksesin në Informacione të Klasifikuara për ish-Sekretarin Blinken dhe zyrtarët e tjerë


Presidenti Donald Trump ka revokuar autorizimet e sigurisë për disa zyrtarë të lartë të administratës së mëparshme, përfshirë ish-Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe ish-Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan.

Ky veprim vjen një ditë pasi Trump i hoqi paraardhësit të tij, Joe Biden, aksesin në informacione të klasifikuara dhe informacione të përditshme të inteligjencës.

“Djalë i keq. Hiqjani lejet”, citohet të ketë thënë sipas gazetës New York Post, Trump për Blinken, përcjell Reuters.

Trump ka revokuar gjithashtu autorizimet e sigurisë për Lisa Monaco, ish-Zëvendës Prokurore e Përgjithshme, si dhe për Letitia James, Prokurore e Përgjithshme e Nju Jorkut, dhe Alvin Bragg, Prokuror i Distriktit të Manhattanit, të cilët kanë ndjekur çështje ligjore kundër Trump.

Ndërsa këto revokime nuk kanë një ndikim të menjëhershëm, ato shënojnë një përshkallëzim të tensioneve në Uashington.

Tradicionalisht, ish-presidentët amerikanë marrin infromacione të inteligjencës për të këshilluar presidentët në detyrë mbi çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka revokuar gjithashtu autorizimin e sigurisë për Mark Milley, ish-kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët.

Në vitin 2021, Joe Biden i kishte hequr autorizimin e sigurisë Trump-it.

Në shkurt të atij viti, Biden deklaroi se Trump nuk do të merrte informacione të klasifikuara, një praktikë që zakonisht zbatohet për ish-presidentët. Arsyeja kryesore ishte shqetësimi për mënyrën se si Trump trajtonte informacionin e ndjeshëm dhe mundësia që ai ta përdorte atë në mënyrë të papërshtatshme.

Biden e konfirmoi këtë vendim në një intervistë për CBS News, ku u pyet nëse Trump do të merrte informacione të klasifikuara pas largimit nga detyra. Ai u përgjigj: “Nuk mendoj se ai ka nevojë për to. Cili do të ishte qëllimi?”. Administrata e Bidenit shprehu shqetësim për sjelljen e Trump, duke theksuar sulmin e 6 janarit në Kapitol dhe mënyrën e tij të menaxhimit të sekreteve shtetërore gjatë presidencës.

Ky vendim ishte i pazakontë, pasi ish-presidentët zakonisht mbajnë njëfarë qasjeje në informacionet e klasifikuara, megjithëse në mënyrë të kufizuar.