Arrestohet Erion Veliaj me kërkesë të SPAK


Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua ditën e sotme nga agjentët e BKH-së të cilët u paraqitën sot në mesditë rreth orës 14:00 në ambientet e zyrave të bashkisë për t’i komunikuar atij vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Më pas me makinën e tij Veliaj u shoqërua drejt bllokut të sigurisë, në rrugën Mine Peza” në Tiranë.

GJKKO ka firmosur gjithashtu masën me “arrest shtëpie’ për bashkëshorten e tij  Ajola Xoxën.

Burime pranë SPAK bëjnë të ditur se masa e sigurisë për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa nuk është ekzekutuar ende pasi ndodhet për kurim jashtë Shqipërisë.

Ndërkohë kryeministri Rama ka anuluar  takimet që kishte parashikuar ditën e sotme, 10 shkurt, në Shkodër.

Po ashtu GJKKO mësohet se ka dhënë “detyrim paraqitje” për pesë biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha. Dyshohet se biznesmenët kanë marrë tendera të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës.

Dosja ndaj Veliajt po hetohet nga Olsi Dado.

 

Si nisi hetimi?

Akuza e SPAK bazohet mbi kallëzimin e personit anonim, Nesti Angoni. Kallëzimi u dërgua me postë në SPAK. Nisur nga kjo u regjistrua dosja në hetim por nuk ishte regjistruar emri i kryebashkiakut si person nën hetim.

Në dhjetor 2024 Kryebashkiaku i Tiranës dëshmoi para agjentëve të BKH-së si person që kishte në lidhje me veprën penale të korrupsionit pasiv, ndërkohë që kishte nisur dhe hetim pasuror. Edhe familjarët e tij janë marrë në pyetje si persona që kanë dijeni.

Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Me vendim të GJKKO kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Ols Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij. Ndërsa i është ushtruar kontroll dhe në banesën e vëllait të Erion Velisë.