Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kritikuar bashkitë për vonesa në përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për respektimin e afateve ligjore.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, përmes një reagimi në Facebook, njoftoi se monitorimet e KQZ-së kanë evidentuar probleme të shumta si vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve, vështirësi për aksesimin e qendrave të votimit nga zgjedhësit me aftësi të kufizuara dhe mungesë informacioni për caktimin e qendrave të votimit dhe njoftimin e zgjedhësve.
Celibashi theksoi se procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive, për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërkohë që afati për përfundimin e tij është 6 mars 2025.
Reagimi i Celibashit
Duke marrë në konsideratë detyrimet që burojnë nga Kodi Zgjedhor, lidhur me publikimin e listave të zgjedhësve, njoftimin me shkrim të zgjedhësve dhe raportimin për vendndodhjen e qendrave të votimit (QV), është e nevojshme të merren masa të menjëhershme nga ana e bashkive për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore.
Nga monitorimi i bërë nga KQZ:
– Janë konstatuar vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki.
– Ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara.
– Informacioni për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.
Procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërsa afati për përfundimin e tij është 6 mars 2025.
Për të adresuar problematikat e sipërcituara, KQZ i kërkon bashkive:
Të përfundojnë raportimin e caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit brenda afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Gjithashtu, i kërkon Ministrisë së Brendshme lehtësimin e procesi të njoftimit të zgjedhësve për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore.